Netanyahu e dënon me zemërim kërkesën për urdhërarrest ndërkombëtar kundër tij
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka dënuar me zemërim kërkesën e prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për urdhërarrest kundër tij krahas disa udhëheqësve të Hamasit nën dyshimet për krime lufte në konfliktin e Gazës.
Netanyahu tha se refuzon me neveri që “Izraeli demokratik” ishte krahasuar me ata që ai i quajti “vrasës masivë”, raporton televizioni BBC.
Komente të ngjashme ka dhënë edhe presidenti amerikan, Joe Biden, i cili ka thënë se nuk ka barasvlerë mes Izraelit e Hamasit.
Kryeprokurori i GjNP-së, Karim Khan, tha se ka bazë të besueshme për të besuar që Netanyahu dhe ministri i tij i Mbrojtjes, Yoav Gallant, bartin përgjegjësi penale për krime lufte të dyshimta dhe krime të dyshimta kundër njerëzimit në Gaza.
GjNP-ja ka kërkuar lëshim të urdhërarrrestit edhe për udhëheqësin e Hamasit në Gaza, Yahya Sinwar, nën dyshimin për krime lufte.
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara nuk janë anëtare të GjNP-së, gjykatë e themeluar në vitin 2002.
Të hënën, Bideni tha se “nuk ka barasvlerë – asnjë – mes Izraelit dhe Hamasit”. “Është e qartë se Izraeli dëshiron ta bëjë tërë atë që mundet për ta siguruar mbrojtjen e civilëve” – shtoi ai.
Vlerësim të ngjashëm dha edhe sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, duke thënë se Uashingtoni “në mënyrë rrënjësore e refuzon” këtë lëvizje. “Është e turpshme. GjNP-ja nuk ka juridiksion për këtë çështje” – shtoi kryediplomati amerikan.
Ai gjithashtu sugjeroi se kërkesa për lëshimin e urdhërarresteve për udhëheqës izraelitë do t’i rrezikojë përpjekjet e vazhdueshme për arritjen e një armëpushimi.