Nëntë të vrarë nga sulmi i grupit “Al Shabaab” në një restorant në Somali
Nëntë persona u vranë të premten natën gjatë një sulmi për të cilin e morën përgjegjësinë militantët e grupit “Al Shabaab” në një restorant në kryeqytetin e Somalisë, Mogadishu, tha policia e këtij shteti.
Në mesin e të vrarëve në restorantin e popullarizuar “Pearl” ishin gjashtë civilë dhe tre ushtarë, thuhet në një deklaratë të policisë. Drejtori i shërbimit ambulantor “Aamin”, Abdikadir Abdirahman, tha se grupi i tij ka transportuar 20 persona të plagosur nga vendi i ngjarjes, raporton agjencia “Reuters”.
Forcat e sigurisë shpëtuan 84 civilë, ndërsa fati i sulmuesve ishte i paqartë, tha policia.
Agjencia kombëtare Somaleze e Lajmeve raportoi se “forcat e sigurisë me sukses i kanë neutralizuar militantët e “Al Shabaab”-it që ishin përgjegjës për sulmin terrorist ndaj hotelit “Pearl Bearch” në Lido Beach, Mogadishu”.
Hussein Mohamed, kamerier i një restoranti tjetër afër vendit ku ndodhi sulmi, tha se dëgjoi një shpërthim të pasur nga të shtënat me armë, kur filloi sulmi. “E tërë zona është rrethuar nga forcat e sigurisë”- tha ai.
Grupi “Al-Shabaab”, me lidhje me grupin “Al Qaeda”, tha se qëndron prapa këtij sulmi. “Muxhahedinët arritën që të hynin në “Pearl Beach” dhe ende e kanë kontrollin e plotë”- tha ky grup në një deklaratë.
Në nëntor të vitit të kaluar, ky grup, i cili ka nën kontroll territore të konsiderueshme në Somali, sulmoi një tjetër hotel në Mogadishu, duke vrarë nëntë persona.
Në fund të muajit të kaluar, luftëtarët e këtij grupi sulmuan një bazë ku ndodheshin trupa paqeruajtëse nga Uganda, duke vrarë 54 ushtarë.