Nënpresidenti Vance e krahason ekonominë amerikane me anijen e Titanikut
Përderisa vizita e presidentit amerikan, Donald Trump, në Davos të Zvicrës ishte e përqendruar kryesisht në çështje të jashtme, nënpresidenti JD Vance e ka promovuar porosinë e administratës amerikane rreth ekonomisë vendëse.
Në një fjalim të mbajtur të enjten në Ohio, Vance tha se ekonomia e Shteteve të Bashkuara është në një “krizë të përballueshmërisë”, por shtoi se ajo është ndërtuar në kohën kur president ishte demokrati Joe Biden, raporton televizioni CNN.
“Nuk kthehet Titaniku në anën tjetër brenda natës. Nevojitet kohë që të rregullohet ajo që është prishur” – tha nënpresidenti amerikan.
Anija e famshme “RMS Titanic” kishte goditur një iceberg në prillin e vitit 1912, kishte pësuar dëme të pariparueshme dhe në fund ishte fundosur, duke rezultuar në vdekjen e më shumë se 1.500 njerëzve.
Një zëdhënës i nënpresidentit Vance nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Komentet e tij vijnë në kohën kur shumë amerikanë janë duke përjetuar rritje të trysnisë financiare.
Gjithnjë e më shpesh, më shumë amerikanë po vonohen në pagimin e taksave dhe po ballafaqohen me ngadalësim të rritjes së pagave, thekson televizioni CNN./Nacionale