Negociatorët tregtarë të ShBA-së e Evropës diskutojnë në Paris për taksat
Evropa dhe Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë bisedime në Paris për të gjetur zgjidhje për përplasjen e tensionuar rreth taksave, çështje që mund të ketë pasoja ekonomike globale.
Kryenegociatori tregtar i Bashkimit Evropian, Maros Sefcovic, u takua të mërkurën me homologun e tij amerikan, Jamieson Greer, në margjina të një takimi të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
“Jemi duke avancuar shpejt në drejtimin e duhur” – tha Sefcovici në një konferencë për gazetarë. Ai shtoi se takimet e vazhdueshme teknike mes BE-së e ShBA-së në Uashington do të pasohen shpejt nga një video-konferencë mes tij dhe amerikanit Greer që më pas “të vlerësohet progresi dhe të përcaktohet rruga tutje”.
Brukseli dhe Uashingtoni nuk pritet të arrijnë një marrëveshje tregtare përmbajtësore në Paris. Çështjet që i ndajnë dy palët në qëndrime janë shumë të vështira për t’u zgjidhur shpejt.
Presidenti amerikan, Donald Trump, vazhdimisht ka shprehur pakënaqësi për deficitin tregtar të vendit të tij në raport me Bashkimin Evropian. Vitin e kaluar, deficit arriti në shifër rekorde prej 161 miliardë dollarësh, sipas Departamentit të Tregtisë të ShBA-së.
Trumpi i fajëson praktikat e padrejta tregtare për dallimin mes atyre që ShBA-ja i shet dhe atyre që i blen nga Evropa, shpesh duke e veçuar kritikën për taksën prej 10 të qind që BE-ja e zbaton për veturat e importuara. Kjo taksë në ShBA ishte 2,5 për qind, por Trumpi në prill e ngriti në 25 për qind.
Bashkimi Evropian i ka ofruar ShBA-së një marrëveshje “zero për zero”, në të cilën të dyja palët u japin fund taksave ndaj mallrave industriale, përfshirë automjetet. Trumpi e ka refuzuar këtë ide, por zyrtarë të BE-së thonë se ajo është ende në tavolinë./Nacionale