Në Siri ndodh shpërthimi më vdekjeprurës që nga rrëzimi i Assadit
Një veturë bombë la të paktën 15 të vrarë të hënën në qytetin Manbij të Sirisë, sulmi i dytë atje brenda tri ditëve dhe më vdekjeprurëse që nga rrëzimi i ish-presidentit Bashar al-Assad nga pushteti në dhjetor.
Asnjë grup nuk e mori menjëherë përgjegjësinë për sulmin në Manbij, qytet që shtrihet rreth 30 kilometra larg kufirit me Turqinë. Shërbimi shpëtues i mbrojtjes civile i identifikoi të vdekurit si 14 gra e një burrë, ndërsa shtoi se 15 gra të tjera u plagosën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Viktimat ishin punëtorë bujqësorë dhe numri i të vdekurve pritet të rritet, i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar i mbrojtjes civile.
Kontrolli mbi qytetin Manbij ka ndryshuar duar disa herë gjatë luftës siriane, më së voni në dhjetor, kur grupet e mbështetura nga Turqia e kapën atë nga Forcat Demokratike Siriane të përkrahura nga Shtetet e Bashkuara dhe të cilat udhëhiqen nga grupi militant kurd, YPG.
Të shtunën, një veturë bombë la të vrarë katër civilë dhe nëntë të tjerë u plagosën, përfshirë disa fëmijë, raportoi agjencia shtetërore siriane e lajmeve, SANA.
Assadi u rrëzua nga pushteti më 8 dhjetor pas një ofensive të shpejtë që u udhëhoq nga grupi Hayat Tahrir al-Sham, udhëheqësi i të cilit, Ahmed al-Sharaa, javën e kaluar u shpall president i Sirisë për periudhën e tranzicionit./Nacionale