Në planin e ri të buxhetit, francezëve u kërkohet që të punojnë një ditë pa pagesë
Buxheti i Francës është aq i ngarkuar, saqë ligjvënësit po shtyjnë përpara një propozim që francezët të punojnë shtatë orë shtesë çdo vit pa u paguar – sa një ditë pune – për të siguruar më shumë të hyra për arkën e shtetit.
Kjo masë u miratua të mërkurën në Senat, por ende mund të hiqet nga projektligji përfundimtar i buxhetit. Me të do të siguroheshin 2,5 miliardë euro shtesë nga të hyrat prej taksave shtesë për punë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Masa vjen kur koalicioni i brishtë qeveritar i kryeministrit Michel Barnier synon që ta miratojë buxhetin për vitin 2025 përmes një kuvendi me përçarje të ashpër. Partia e së djathtës ekstreme e zonjës Marine Le Pen ka kërcënuar se do ta rrëzojë Qeverinë përmes një mocioni të mosbesimit.
Sipas amendamentit të propozuar nga senatorja e qendrës së djathtë, Elisabeth Doineau, njerëzit do të duhej të punonin shtatë orë shtesë në një periudhë të caktuar të vitit, për të cilat nuk do të paguheshin në pagë, por për të cilat punëdhënësit do të duhej të paguanin kontribute shtesë për sigurinë sociale.
Një ide e mëhershme, e cila do ta kishte efektin e njëjtë ndaj buxhetit, ishte e mbështetur në heqjen e njërës prej festive kombëtare dhe detyrimin e njerëzve që të punonin atë ditë. Megjithatë, nuk u arrit marrëveshje se cila ditë feste të bëhej ditë pune.
Pas daljes së shpenzimeve nga kontrolli këtë vit dhe pas dështimit për t’i përmbushur pritshmëritë për të hyra, kabineti i Barnierit ka propozuar 60 miliardë euro kursime në buxhetin e vitit 2025 përmes zvogëlimit të shpenzimeve dhe rritjes së taksave.
Edhe pse Qeveria e ka shënjestruar pjesën më të madhe të rritjes së taksave ndaj të pasurve dhe kompanive të mëdha, në buxhetin e saj përfshihen plane për të kufizuar një masë nxitëse ndaj kontributeve të punëdhënësve për sigurinë sociale për punëtorët me të ardhura të ulëta./Nacionale