Në “Oktoberfest”-in e Munihut do të hapet zona e birrave pa alkool - NACIONALE

Në “Oktoberfest”-in e Munihut do të hapet zona e birrave pa alkool

1 vit më parë

nga NACIONALE

Munihu, qyteti gjerman ku mbahet festivali i famshëm i birrës, “Oktoberfest”, të enjten do ta hapë kopshtin e parë (Biergarten) të birrave pa alkool si shenjë për ndryshimin e shprehisë së konsumimit.

Ky park do të quhet “Die Null” (“Zeroja”) dhe do të hapet afër stacionit kryesor të trenit në kryeqytetin bavarez. Aty do të shërbehen ekskluzivisht pije joalkoolike, përfshirë koktejet pa alkool, lëngjet, ujin dhe birrat pa alkool, në përpjekje për t’ia përmirësuar imazhin zonës, raporton gazeta “The Guardian”.

Operatorët e restoranteve, hoteleve dhe zonave kulturore në atë pjesë, që do ta menaxhojnë kopshtin në mënyrë të përbashkët, për një kohë të gjatë janë ankuar për turistët që dalin nga trenat duke pirë tepër pranë lokaleve e duke e mbajtur imazhin e Munihut si “parajsë e birrës”.

Mysafirët në zonën që do të ndërtohet në mjedis të hapur do të lejohen që të marrin ushqim me vete dhe do të ketë argëtim falas “live” nga bende, kore dhe solo-artistë si dhe do të ketë mbrëmje vallëzimi me DJ e ndeja për të rinj.

Qëllimi i Munihut është që zona të jetë “e përditësuar” dhe edhe një herë “e ankoruar në qendër të shoqërisë”, tha administrata lokale, përderisa konsumimi i birrës vazhdimisht po bie në Gjermani.

Pronari i një bari, Florian Schonhofer, njëri nga përkrahësit e kopshtit të birrave pa alkool, tha se qëllimi i kësaj nisme nuk është largimi nga alkooli në mënyrë të përhershme, por që të tregohet se ka alternativa tërheqëse.

Gjatë 20 viteve të kaluara në tregti, ai kishte vërejtur “shpërbërje të kufijve”, kur bëhet fjalë për alkoolin, tha Schohoferi. Sipas tij, reagimet ndaj planit të ri deri më tani kanë qenë pozitive.

“Sidoqoftë, ne ndoshta do të shënojmë humbje” – i tha gjermani të përjavshmes “Die Ziet”, duke theksuar se përderisa ka klientë që mund të pinë dhjetë birra në një mbrëmje, pak njerëz do të porosisin dhjetë lëngje frutash./Nacionale

Lajme të ngjashme