Në kohën e aksidentit me aeroplan e helikopter në ShBA, një kontrollor po punonte në dy pozita - NACIONALE

Në kohën e aksidentit me aeroplan e helikopter në ShBA, një kontrollor po punonte në dy pozita

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një kontrollor ajror ishte duke punuar në dy pozita të ndryshme në kullën e kontrollit në kohën e përplasjes mes një aeroplani udhëtarësh e një helikopteri ushtarak në Uashington të mërkurën natën, i tha televizionit CNN një burim i kontrollit të trafikut ajror.

Burimi tha se ky lloj organizimi, ku një person i menaxhon edhe trafikun lokal, edhe atë të helikopterëve, është i pazakontë, raporton televizioni i njohur amerikan.

Gazeta “The Neë York Times”, e cila e para raportoi për këtë hollësi, thotë se në një raport të brendshëm preliminar të Administratës Federale të Aviacionit thuhet se përbërja e stafit “nuk ishte normale për kohën e ditës dhe vëllimin e trafikut”.

Kulla e kontrollit në aeroportin kombëtar “Reagan” ka staf të plotësuar prej 85 për qind dhe katër nga 28 pozitat nuk janë të plotësuara, shtoi burimi.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit është duke nisur një hetim të vetin dhe do të shqyrtojë një varg shkaktarësh të mundshëm të përplasjes mes aeroplanit e helikopterit. Është ende shumë herët të thuhet nëse përbërja e stafit në kohën e incidentit ka luajtur një rol në rast.

Një burim qeveritar i afërt me hetimin i tha televizionit CNN se mbikëqyrësi i kullës së kontrollit në aeroport e kishte marrë vendimin për t’i kombinuar dy rolet të mërkurën natën, diçka që ata mund ta bëjnë në diskrecion, kur vëllimi i trafikut ajror nuk është i madh.

Burimi tha se nuk kishte paralajmërim për çështje stafi në kullën e aeroportit, që do të thotë se aty nuk kishte mungesë stafi.

Televizioni CNN ka kërkuar koment nga Administrata Federale e Aviacionit për këtë çështje./Nacionale

Lajme të ngjashme