Në fjalimin e Krishtlindjeve, Papa bën thirrje që të ulet armët e të tejkalohen dallimet
Në mesazhin tradicional të Krishtlindjes, Papa Françesku të mërkurën u bëri thirrje “njerëzve të të gjitha kombeve” që ta gjejnë guximin për “ta ndalur zhurmën e armëve dhe për t’i tejkaluar dallimet” që po e pllakosin botën, nga Lindja e Mesme në Ukrainë, Afrikë e Azi.
Fjalimi i Papës shërben si përmbledhje e armiqve me të cilët ballafaqohet bota këtë vit. Përderisa Krishtlindjet anë në kohën e fillimit të festimit të Vitit të Shenjtë 2025 që i kushtohet shpresës, Papa Françesku bëri thirrje për pajtim të gjerë, “edhe [me] armiqtë tanë”, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Ai bëri thirrje që të ulen armët në Ukrainën e rrënuar nga lufta e në Lindjen e Mesme, duke i veçuar komunitetet e krishtera në Izrael e në territoret palestineze, “sidomos në Gaza, ku situata humanitare është për së tepërmi e rëndë”, po ashtu edhe në Liban e në Siri “në këtë kohë që është më delikatja”.
Papa e përsëriti thirrjen e tij për lirimin e pengjeve që janë marrë nga Hamasi në Izrael më 7 tetor 2023.
Ai përmendi edhe fatkeqësi të tjera, përfshirë përhapjen vdekjeprurëse të fruthit në Republikën Demokratike të Kongos dhe vuajtjet e njerëzve në Mianmar. Papa i kujtoi edhe fëmijët që po vuajnë nga luftërat dhe uria, të moshuarit që jetojnë në vetmi, njerëzit që ikin nga atdheu i tyre, që kanë mbetur pa vende pune dhe që përndiqen për shkak të besimit të tyre.