Në disa pjesë të Indisë regjistrohet prilli më i nxehtë, nëntë të vdekur nga vapa
Pjesa lindore e Indisë u ballafaqua me prillin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, përderisa një valë vape përfshiu disa pjesë të vendit në kohën e zgjedhjeve të përgjithshme, duke lënë të vdekur të paktën nëntë persona.
Zyra e motit parashikoi të mërkurën temperatura mbi nivelin e normales edhe për muajin maj, raporton agjencia “Reuters”.
Vapa e madhe është përmendur nga analistët politikë si njëra nga arsyet për pjesëmarrje të ulët në zgjedhjet parlamentare me shtatë faza që filluan më 19 prill, ndërsa rezultatet pritet të publikohen më 4 qershor.
Sidoqoftë, është parashikuar që moti i nxehtë të freskohet gradualisht ditëve të ardhshme.
Në prill, shteti lindor indian, Bengali Perëndimor, regjistroi më së shumti ditë me valë vape për këtë muaj në 15 vitet e fundit, i pasuar nga shteti fqinj bregdetar, Odisha, ku vapa ishte më e rënda në nëntë vjet.
Autoritetet kanë shpallur valë të rrallë vape në shtetin jugor bregdetar, Kerala, ku janë regjistruar të paktën dy raste fatale për shkak të temperaturave të larta.