Ndryshimet buxhetore: Izraeli pritet të ndajë mbi 470 milionë dollarë për ndihma në Gaza - NACIONALE

Ndryshimet buxhetore: Izraeli pritet të ndajë mbi 470 milionë dollarë për ndihma në Gaza

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet që të miratojë rritje prej 31 miliardë shekelësh (rreth 9 miliardë dollarë) në buxhetin shtetëror të vitit 2025, 1,6 miliard shekelë (473 milionë dollarë) prej të cilëve do të ndahen për ndihma humanitare në Gaza, raporton televizioni publik izraelit.

Sipas transmetuesit publik “Kan TV”, pjesa më e madhe e kësaj rritjeje do të ndahet për shpenzime të mbrojtjes dhe do të shoqërohet nga një tkurrje gjithëpërfshirëse prej 3,35 për qind në buxhetet ministrore, si kursim për buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Buxheti shtetëror prej 755 miliardë shekelësh (205 miliardë dollarë) ishte miratuar në mars. Më herët këtë muaj, kur Izraeli po ballafaqohej me kritika të shumta globale për shkak të krizës humanitare në Gaza, ministri i Financave, Bezalel Smotrich, kishte pranuar se Qeveria do të ndante miliarda shekelë nga fondet publike për ofrimin e ndihmave humanitare në Gaza. Ky ministër më parë e kishte kundërshtuar hyrjen e ndihmave në Gaza, duke thënë se një gjë e tillë e forconte Hamasin.

Votimi i buxhetit shtesë do të bëhet në kohën kur ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, dhe ministri i Arsimit, Yoav Kisch, thanë në një deklaratë të përbashkët të martën në mëngjes se ata do ta kundërshtojnë propozimin për fondet shtesë, nëse në to nuk përfshihen mjete për sigurinë në institucionet arsimore për vitin shkollor që po fillon.

“Në kohën kur Ministria e Financave dëshiron që ta rrisë buxhetin për ndihma humanitare, ajo po e dëmton sigurinë e fëmijëve tanë” – tha në një deklaratë ministri Ben Gvir, duke e quajtur këtë veprim “turp që nuk mund të pranohet”.

Ndryshimet buxhetore kundërshtohen edhe nga partitë Haredi në Kuvend, të cilat u larguan muajin e kaluar nga koalicioni qeveritar pas një mosmarrëveshjeje rreth rekrutimit të studentëve yevisha.

Sipas transmetuesit publik, zvogëlimi i fondeve i prek shumicën e mjeteve të ndara për përfshirjen e shkollave Haredi në programin qeveritar “Horizonti i Ri”, me të cilin financohet puna në grupe të vogla mes mësimdhënësve e nxënësve dhe rriten pagat e mësuesve, mes nismave të tjera./Nacionale

Lajme të ngjashme