Ndihmësi i Zelenskyt thotë se është realiste që marrëveshja e paqes të arrihet në dimër
Kyrylo Budanov, shef i stafit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të hënën se beson që arritja e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës me Rusinë deri në dimër është rezultat realist.
Zelensky tha në një intervistë të publikuar të dielën se dëshiron të vazhdojë me bisedime për sigurimin e paqes me Rusinë, të cilat kanë ngecur muajve të fundit, para se të arrijë dimri, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara për të lëvizur drejt një pakti të paqes janë ndërprerë, në kohën kur Uashingtoni është përqendruar në konfliktin në Iran.
Budanovi tha se ai pret që një delegacion amerikan t’i vizitojë Moskën dhe Kievin në të ardhmen e afërt, por nuk dha hollësi.
“Ky është udhëzimi i presidentit: të përpiqemi t’i japim fund kësaj lufte sa më shpejt që është e mundshme... mundësisht para dimrit. Sipas mendimit tim, kjo është absolutisht korrekte, në kohë dhe realiste” – tha ai para gazetarëve në një konferencë për media.
Zelensky dhe zyrtarë të tjerë ukrainas kanë thënë se avancimi i forcave ruse në terren është ngadalësuar, ndërsa Ukraina ka intensifikuar një fushatë të sulmeve me rreze të gjatë brenda Rusisë, duke e vënë në shënjestër kryesisht industrinë e naftës.
Një komandant i lartë ukrainas tha javën e kaluar se Ukraina ka një periudhë kohore prej gjashtë muajve për ta marrë iniciativën në fushëbetejë dhe për ta fuqizuar pozicionin e saj për bisedimet e paqes.