Ndihmësi i lartë i Bidenit thotë se s’ka besim në Qeverinë e Izraelit - NACIONALE

Ndihmësi i lartë i Bidenit thotë se s’ka besim në Qeverinë e Izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ndihmës i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se ai nuk ka “asnjë besim” në qeverinë e tanishme izraelite, në lidhje me synimet e saj për të bërë “hapa domethënës” drejt formimit të një shteti palestinez, raportoi të premten gazeta “The New York Times”, duke cituar një incizim nga një takim mes këtij zyrtari dhe udhëheqësve arabo-amerikanë në Michigan të ShBA-së.

Nënkëshilltari për Siguri Kombëtare i ShBA-së, Jon Finer, raportohet se i bëri këto komente të enjten gjatë një vizite në qytetin Dearborn, i cili ka popullsi të madhe arabo-amerikane. Ai vizitën e bëri bashkë me zyrtarë të tjerë të administratës së presidentit Joe Biden, përfshirë ish-ambasadoren e ShBA-së në OKB, Samantha Power, për të bërë fushatë për Bidenin para një gare që është jetike për synimin e tij për një mandat të ri në pushtet, por ky komunitet është indinjuar nga përkrahja e presidentit për Izraelin gjatë luftës kundër Hamasit në Rripin e Gazës, përcjell gazeta “The Times of Israel”.

Sipas raportimit të gazetës amerikane, Fineri u tregoi pjesëmarrësve në takim për përpjekjet e administratës së Bidenit për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për vendosjen e marrëdhënieve formale diplomatike mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, veprim që, sipas tij, është hap jetik drejt shtetësisë palestineze dhe do të kërkonte kompromis nga të gjitha palët.

“Ne do të duhet të bëjmë gjëra për Arabinë Saudite që do të jenë shumë të papopullarizuara në këtë vend dhe në Kongresin tonë. A do të jetë Izraeli i gatshëm për ta bërë gjënë e vështirë që do të kërkohet prej tij, që janë hapat domethënës për palestinezët rreth çështjes së dy shteteve? Unë nuk di që përgjigjja për këtë është po. Unë nuk kam ndonjë besim në këtë qeveri aktuale të Izraelit” – tha nënkëshilltari amerikan.

Fineri gjithashtu i quajti disa zyrtarë të paidentifikuar izraelitë “të neveritshëm” dhe tha se administrata amerikane do të duhej të ndërmerrte qëndrim më të fortë kundër atyre që i kanë krahasuar “banorët e Gazës me kafshë”.

Edhe pse zyrtari amerikan nuk përmendi emra, ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, është cituar të ketë dhënë në ditët e para të luftës: “Ne po luftojmë kafshë njerëzore dhe po veprojmë në përputhje me situatën.”

Fineri gjithashtu shprehu keqardhje për disa “hapa të gabuar” që administrata e Bidenit i ka bërë gjatë trajtimit të luftës, sidomos sa i përket mungesës së perceptuar të shqetësimit për viktimat civile, përderisa refuzonte që t’i përkrahte thirrjet për armëpushim.

“Ne jemi shumë mirë të vetëdijshëm që kemi hapa të gabuar në rrjedhën e reagimit ndaj kësaj krize nga 7 tetori” – tha nënkëshilltari për Siguri Kombëtare.

Lajme të ngjashme