Ndëshkim i pashembullt për deputetët që bënë “haka” në Zelandën e Re
Tre deputetë të Zelandës së Re, të cilët kishin bërë një performancë “haka” në Kuvend, do të pezullohen përkohësisht, në atë që besohet se është ndëshkimi më i rëndë që u është shqiptuar ligjvënësve në shtetin e largët.
Bashkëthemeluesit e partisë Maori, Debbie Ngarewa-Packer dhe Rawiri Waititi, si dhe anëtarja më e re në moshë e kësaj partie, Hana-Rawhiti Maipi-Clarke, e bënë vallëzimin tradicional Maori gjatë një votimi të projektligjit të Parimeve të Traktatit, në leximin e tij të parë në nëntor, raporton gazeta “The Guardian”.
Videoja e performancës “haka”, ku deputetja Maipi-Clarke shihet duke grisur një kopje të projektligjit, u shpërnda shpejt në mbarë botën, duke marrë miliona shikime.
Me këtë projektligj synohej që të riinterpretohej në mënyrë radikale Traktati i Waitangi-t, dokument themeltar i Zelandës së Re mes fiseve Maori dhe Kurorës Britanike, i cili ishte nënshkruar në vitin 1840 dhe ishte instrument për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve Maori.
Projektligji u hodh poshtë përfundimisht në leximin e tij të dytë në prill.
Megjithatë, në një raport të publikuar të mërkurën, Komisioni i Privilegjeve rekomandoi që deputetët Ngarewa-Packer dhe Waititi të pezullohen nga detyra për tri javë – ndëshkim i pashembullt – dhe Maipi-Clarke për shtatë ditë, duke thënë se veprimet e treshes kanë frikësuar ligjvënës të tjerë dhe paraqesin përbuzje të Kuvendit.
Performanca “haka” është bërë në Kuvendin e Zelandës së Re edhe më parë, përfshirë rastet ku ishte pjesë edhe Waititi, por komisioni tha se mënyra dhe koha e rastit të fundit, i cili e pengoi aftësinë e deputetëve të tjerë për të votuar rreth projektligjit, ishin “çështje serioze”.
Judith Collins, kryeprokurore dhe udhëheqëse e komisionit, tha se ky është ndëshkimi më i ashpër që komisioni e ka shqiptuar ndonjëherë dhe “incidenti më i keq që e kemi parë ndonjëherë”./Nacionale