Ndërprerje masive e rrymës në Spanjë e Portugali, thirret mbledhje e sigurisë kombëtare - NACIONALE

Ndërprerje masive e rrymës në Spanjë e Portugali, thirret mbledhje e sigurisë kombëtare

1 vit më parë

nga NACIONALE

Spanja dhe Portugalia janë goditur nga ndërprerja masive e furnizimit me rrymë për miliona njerëz në të dyja vendet, përfshirë kryeqytetet e tyre. Ndërprerje ka edhe në jugperëndim të Francës, sipas operatorëve të rrjetit.

Ndërprerja e rrymës shkaktoi ndërprerje të qarkullimit të trenave e ndalim të funksionimit të rrjeteve të metrosë, linjave telefonike, semaforëve dhe bankomatëve. Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë e shkaktoi ndërprerjen e rrymës ose saktësisht sa njerëz janë prekur nga kjo ngjarje, raporton gazeta “The Guardian”.

Qeveria e Spanjës thirri një takim krizash në zyrat e operatorit kombëtar të energjisë elektrike, “Red Electrica”, në të cilën mori pjesë edhe kryeministri Pedro Sanchez dhe disa ministra. Në këtë takim raportohet se u diskutua ajo që u quajt “ndërprerja më e rëndë e rrymës në historinë e re të vendit”.

Qeveria tha në një deklaratë se “është duke punuar për t’i përcaktuar prejardhjen dhe ndikimin e këtij incidenti dhe po i përkushton të gjitha burimet për ta zgjidhur atë sa më shpejt që është e mundur”.

Drejtori i kompanisë që e menaxhon rrjetin elektrik tha se rikthimi i furnizimit me energji mund të marrë “mes gjashtë deri në dhjetë orë”.

Mediat spanjolle raportuan se Instituti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike ishte duke e hetuar mundësinë për një sulm kibernetik. Edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare u mblodh të hënën pasdite për të diskutuar rreth problemit.

Mbledhje urgjente mbajti edhe Qeveria e Portugalisë. Takimi u zhvillua në rezidencën e kryeministrit. Operatori i rrjetit energjetik tha se tërë Gadishulli Iberik është prekur nga ndërprerja e rrymës, për të cilën tha se ndodhi në orën 11 e 33.

Lajme të ngjashme