Navalny në gjendje kritike pas helmimit të mundshëm, thotë aleati i tij - NACIONALE

Navalny në gjendje kritike pas helmimit të mundshëm, thotë aleati i tij

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Alexei Navalny, figura më e njohur opozitare në Rusi, është ballafaquar me dhimbje të rëndë barku në burg, e cila mund të jetë rezultat i helmimit me veprim të ngadalshëm, tha të premten një aleat i tij.

Ruslan Shaveddinovi tha se një autoambulancë u thirr javën e kaluar në burgun me siguri të lartë, IK-6, në Melekhovo, rreth 250 kilometra në lindje të Moskës, ku po mbahet Navalny, raporton gazeta “The Guardian”.

“Gjendja e tij është kritike, të gjithë jemi shumë të shqetësuar. Ne marrim vesh që situata duhej të ketë qenë shumë e keqe, nëse është thirrur autoambulanca”- tha Shaveddinovi, duke shtuar se autoritetet e burgut kanë refuzuar që ta shtrijnë Navalnyn në spital.

Sipas tij, nuk ka pasur plotësim të të dhënave për gjendjen shëndetësore të Navalnyt që nga arritja e autoambulancës. “Autoritetet po bëjnë gjithçka që është e mundshme për ta izoluar atë”- tha aleati i opozitarit rus.

Navalny komunikon me botën e jashtme përmes avokatëve të tij. Ai është duke u mbajtur në burg për një dënim prej 11 vjetësh e gjysmë burgim nën akuzën për mashtrim e mospërfillje të gjykatës, për të cilat grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se janë shpikur për t’ia mbyllur gojën.

Shqetësimi për shëndetin e Navalnyt është shtuar muajve të fundit dhe ka nxitur disa ligjvënës e mjekë rus që të nisin një peticion të rrallë për të kërkuar kujdes më të mirë shëndetësor për të.

Shaveddinovi tha se ekipi i tij beson që Navalny është duke u helmuar ngadalë. “Teoria jonë është që ata po e vrasin gradualisht atë, duke përdorur helm që vepron ngadalë e cili jepet përmes ushqimit”- tha ai.

“Mund të tingëllojë si paranojë, por pas helmimit me noviçok, duket tërësisht e besueshme. Ai humbi tetë kilogramë për dy javë. Kjo nuk ka ndodhur më parë dhe mjekët nuk po i tregojnë pse ka kaq dhimbje”- tha Shaveddinovi.

Navalny u helmua me noviçok, agjent nervash i periudhës sovjetike, gjatë një udhëtimi për në Siberi më 2020. Ai mori trajtim mjekësor në Berlin dhe e ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, se qëndron prapa helmimit të tij.

Kur u pyet për pretendimet se Navalny mund të jetë duke u helmuar ngadalë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Kremlini nuk është duke e ndjekur shëndetin e tij dhe se kjo është çështje e shërbimit federal të burgjeve.

Lajme të ngjashme