NATO-ja s’do ta përkrahë cakun e ri të Trumpit për shpenzime të mbrojtjes - NACIONALE

NATO-ja s’do ta përkrahë cakun e ri të Trumpit për shpenzime të mbrojtjes

2 javë më parë

nga NACIONALE

NATO-ja nuk do ta mbështesë propozimin e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për rritje masive të shpenzimeve në fushën e mbrojtjes, por me gjasë do të ketë pajtueshmëri për ta ngritur pragun aktual, sipas zyrtarëve dhe analistëve.

Kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë deklaroi të martën se shtetet anëtare të aleancës ushtarake duhet të shpenzojnë 5 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP) në fushën e mbrojtjes – rritje e madhe nga pragu i tanishëm prej 2 për qind dhe nivel që asnjë shtet i NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara, tani për tani nuk e arrin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Komentet e Trumpit – në një konferencë për gazetarë nga e cila dolën edhe disa tituj ballinash për Grenlandën, Kanadanë e Panamanë – ishin rikujtim i fokusit të tij mbi shpenzimet e NATO-s gjatë mandatit të parë si president dhe i kërcënimeve të tij për të mos i mbrojtur aleatët që nuk e arrijnë nivelin e shpenzimeve.

Zyrtarë nga vende të NATO-s thanë se pajtohen që shpenzimet e mbrojtjes duhet të rriten më tej, por nuk e përkrahën nivelin prej 5 për qind, për të cilin analistët thanë se do të ishte i pamundur politikisht dhe ekonomikisht për pothuajse të gjitha vendet e NATO-s. Ky nivel do të kërkonte fonde shtesë prej qindra miliarda dollarësh.

Megjithatë, për një prag të ri të nivelit të shpenzimeve me gjasë do të arrihet pajtueshmëri në samitin e NATO-s në Hagë në qershor, i nxitur nga frika se Rusia mund të sulmojë një vend të aleancës pas Ukrainës dhe nga paralajmërimet e Trumpit, thanë zyrtarët.

Pyetjet e hapura kyçe do të jenë se sa do të jetë pragu i ri dhe nëse ai do të jetë i mjaftueshëm për ta kënaqur presidentin e zgjedhur amerikan.

Disa presin që 32 shtetet e NATO-s të pajtohen për një prag shpenzimesh prej 3 për qind të prodhimit vendës bruto, por edhe ky do të ishte jo i lehtë për shumë shtete, të cilat mezi e plotësojnë ose nuk e arrijnë as qëllimin prej 2 për qind tani – një dekadë pas caktimit të tij.

“Duket se do të ketë një ndryshim. Nuk mendoj se do të jetë 5 për qind, që do të ishte i pamundur për pothuajse secilin shtet në botë tani për tani, por... nuk do të jetë dy (për qind), të cilin ne tashmë po kemi vështirësi për ta arritur, por do të jetë më shumë se dy” – i tha agjencisë “Reuters” ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto./Nacionale

Lajme të ngjashme