NATO-ja do t’ia “tregojë dhëmbët” Rusisë me ushtrimin më të madh ajror në historinë e saj
Gjermania është duke u përgatitur për ta organizuar bashkë me aleatët ushtrimin më të madh ajror të NATO-s në historinë e aleancës, një shfaqje e forcës para armiqve si Rusia, thanë të mërkurën zyrtarët amerikanë dhe gjermanë.
Ushtrimi “Air Defender 23” do të fillojë javën e ardhshme dhe në të do të përfshihen 10 mijë trupa e 250 aeroplanë e helikopterë nga 25 vende, duke simuluar një kundërpërgjigje ndaj një sulmi të paramenduar ndaj një shteti të NATO-s. Vetëm Shtetet e Bashkuara do të dërgojën dy mijë pjesëtarë të Gardës Kombëtare Ajrore dhe rreth 100 aeroplanë për të marrë pjesë në manovrat në periudhën nga 12 deri më 23 qershor, raporton agjencia “Associated Press”.
“Ky është një ushtrim që do të jetë absolutisht mbresëlënës për secilin që e shikon dhe ne nuk e detyrojmë askënd që ta shikojë”- tha ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Gjermani, Amy Gutmann.
“Ushtrimi do t’i dëshmojë, përtej një hije dyshimi, shkathtësinë dhe shpejtësinë e forcës sonë aleate në NATO si reaguese e parë”- shtoi ajo para gazetarëve në Berlin.
“Do të isha goxha e befasuar, nëse ndonjë udhëheqës botëror nuk do t’i kushtonte vëmendje asaj që e tregon kjo në aspektin e shpirtit të aleancës, që do të thotë fuqia e aleancës dhe kjo e përfshin z. Putin”- tha ambasadorja amerikane në Berlin, duke iu referuar presidentit të Rusisë.
Gjeneral Lejtnant Ingo Gerhartz nga forcat ajrore gjermane, i cili është duke bashkërenduar ushtrimin, tha: “Ne po tregojmë që territori i NATO-s është vija jonë e kuqe, që jemi të përgatitur për të mbrojtur çdo centimetër të këtij territori, por ne, për shembull, nuk do të kryejmë ndonjë fluturim drejt Kaliningradit. Pra, qëllimi i këtij (ushtrimi) është mbrojtës.”
Gjeneral Lejtnant Michael A. Loh, drejtor i Gardës Kombëtare Ajrore të ShBA-së, tha se ushtrimi shkon përtej parandalimit.
“Ka të bëjë me gatishmërinë e forcës sonë. Ka të bëjë me bashkërendimin tonë, jo vetëm brenda NATO-s, por me aleatët dhe partnerët tanë jashtë NATO-s”- tha ai.
Autoritetet kanë thënë se ushtrimi ajror do të shkaktoj ca pengesa ndaj fluturimeve civile në Evropë gjatë periudhës së mbajtjes së tij.