NASA ua ndalon shtetasve kinezë punën në programet e saj hapësinore
Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, ua ka ndaluar shtetasve kinezë me viza të vlefshme amerikane që të kenë qasje në objektet e saj – lëvizje që praktikisht ua pamundëson atyre punën në ndonjërën nga qendrat më të respektuara të hulumtimit hapësinor.
Shtetasit kinezë, të cilët mund të punonin në NASA vetëm si kontraktorë ose si studentë që kontribuojnë në hulumtim, morën vesh më 5 shtator se kishin mbetur pa tërë qasjen në sistemet dhe objektet e NASA-s, raportoi mediumi “Bloomberg”, duke cituar burime, transmeton televizioni BBC.
NASA më pas e konfirmoi këtë masë, duke thënë se shtetasve kinezë do t’u ndalohet përdorimi i “objekteve, materialeve dhe rrjeteve për ta garantuar sigurinë e punës sonë”.
Programi i përshpejtuar hapësinor i Kinës i ka alarmuar Shtetet e Bashkuara dhe e ka ngritur në nivel tjetër garën në këtë fushë mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Astronautët kinezë tashmë janë të përjashtuar nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës (ISS), sepse Shtetet e Bashkuara ia kanë ndaluar NASA-s ndarjen e të dhënave të saj me Kinën.
Kufizimi më i ri nga NASA vetëm sa e vazhdon dobësimin e bashkëpunimit mes dy palëve për shkak të shqetësimeve rreth sigurisë kombëtare.