Musku do të bisedojë drejtpërdrejt në X me udhëheqësen e së djathtës ekstreme të Gjermanisë - NACIONALE

Musku do të bisedojë drejtpërdrejt në X me udhëheqësen e së djathtës ekstreme të Gjermanisë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Njeriu më i pasur në botë financiarisht, Elon Musk, do të zhvillojë bisedë në internet të enjten me udhëheqësen e partisë gjermane të së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë, duke shkaktuar shqetësime në Berlin e Bruksel për ndërhyrjen e mundshme në zgjedhje nga miliarderi amerikan në fushatën e zgjedhjeve të 23 shkurtit në Gjermani.

Vitin e kaluar, Musku i shfrytëzoi rrjetin X dhe pasurinë e tij për ta ndihmuar rizgjedhjen e republikanit Donald Trump president i ShBA-së. Tani ai po bëhet i zëshëm në përkrahjen e tij për partitë e së djathtës ekstreme dhe kundër establishmentit në mbarë Evropën, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ai ka shfaqur interesim të posaçëm për Gjermaninë, ekonomia më e madhe në Evropë, ku më 2022 e hapi fabrikën e parë evropiane të prodhuesit të veturave elektrike, “Tesla”.

Në Gjermani, kritikuesit e Alternativës për Gjermaninë (AfD) brengosen se mbështetja e Muskut për këtë parti do ta fuqizojë më tej popullaritetin e saj, duke e dobësuar përkrahjen për partitë tradicionale dhe duke ua vështirësuar atyre formimin e një koalicioni koherent.

Biseda e drejtpërdrejtë mes Muskut dhe udhëheqëses së AfD-së, Alice Weidel, e ka tërhequr vëmendjen e Komisionit Evropian, i cili do ta analizojë diskutimin si pjesë e një hetimi të vazhdueshëm ndaj rrjetit X dhe për shkelje të mundshme të Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA).

“Asgjë në DSA nuk parandalon një transmetim të tillë të drejtpërdrejtë. Ajo që ne duam, megjithatë, është që pronari i platformës ose ofruesi i platformës të sigurohet që platforma nuk është duke… dhënë trajtim preferencial ndaj llojeve të caktuara të përmbajtjes” – tha një zëdhënës.

“LobbyControl”, grup që bën thirrje për transparencë më të madhe në politikën gjermane dhe evropiane, e shtroi pyetjen nëse biseda mes Muskut dhe deputetes gjermane i shkel rregullat për financimin e fushatës në Gjermani, pasi mund të klasifikohet si reklamim politik.

Administrata e dhomës së ulët të Kuvendit të Gjermanisë tha se ishte duke ekzaminuar nëse biseda e drejtpërdrejtë e Muskut me Weidel-in mund të përbëjë ndërhyrje të paligjshme në fushatën zgjedhore.

Zëdhënësi i Weidel-it i hodhi poshtë këto sugjerime, duke thënë: “Definitivisht nuk është donacion ilegal partiak, por një bisedë e hapur në X, e cila nuk është bashkërenduar më parë dhe e cila është tërësisht legjitime.”

Ekipi i Muskut nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Klaus Mueller, drejtor i Agjencisë Federale të Rrjeteve, rregullator i telekomunikimit, tha se u takon qytetarëve për të vendosur nëse do ta dëgjojnë bisedën e Muskut me Weidel-in apo jo./Nacionale

Lajme të ngjashme