Musku dhe Zuckerbergu pajtohen për dyluftim në kafaz
Dy prej miliarderëve të profilit më të lartë në fushën e teknologjisë – Elon Musk dhe Mark Zuckerberg – janë pajtuar për të zhvilluar një dyluftim në ballafaqim në kafaz.
Musku publikoi një mesazh në rrjetin e tij social, “Twitter”, duke thënë se ishte “për një luftë në kafaz” me Zuckerbergun, raporton televizioni BBC.
Zuckerbergu, shef i kompanisë “Meta”, e cila i ka në pronësi rrjetet “Facebook” dhe “Instagram”, më vonë e publikoi mesazhin e Muskut, bashkë me përshkrimin “ma dërgo lokacionin”.
Musku pastaj iu përgjigj Zuckerbergut, duke shkruar: “Vegas Octagon”.
Oktagoni është skenë e rrethuar që përdoret për dyluftimet e kampionatit “Ultimate Fighting Championship”. Selia e kësaj gare është në Las Vegas të Nevadës.
Musku, i cili këtë muaj mbush 52 vjet, shkroi: “E kam këtë lëvizjen e mrekullueshme që e quaj “Walrus”, ku vetëm shtrihem mbi kundërshtarin tim dhe nuk bëj asgjë.”
Ai gjithashtu shkroi: “Unë gati kurrë nuk bëj ushtrime, përpos kapjes së fëmijëve të mi dhe hedhjes së tyre në ajër.”
Në anën tjetër, Zuckerbergu 39-vjeçar ka qenë tashmë duke ushtruar arte të përziera marciale dhe rishtazi ka fituar në gara të jiu-jitsusë.
Komunikimi mes dy miliarderëve është përhapur shumë në internet. Përdoruesit e rrjeteve sociale po diskutojnë se kush do të fitonte në dyluftim.