Moska dhe rajoni i saj u goditën me sulm “masiv” me dronë, thonë zyrtarët rusë
Të paktën një person u vra dhe tre të tjerë u lënduan nga një sulm “masiv” me dronë gjatë natës ndaj Moskës dhe rajonit të saj, thanë zyrtarët lokalë rusë.
Guvernatori i rajonit të Moskës tha se një person u vra dhe tre u lënduan. Ka raportime për dëme ndaj blloqeve banesore si dhe për një zjarr të madh në një parking veturash, raporton televizioni BBC.
Katër aeroporte të Moskës janë detyruar që të mbyllen përkohësisht.
Kryetari i Moskës thotë se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan më shumë se 60 dronë gjatë afrimit të tyre drejt kryeqytetit.
Guvernatori rajonal, Andrei Vorobyev, publikoi fotografi që gjoja shfaqnin banesa të dëmtuara e automjete të djegura. Ai tha se 12 persona, përfshirë tre fëmijë, u desh që të evakuoheshin nga banesat e tyre të dëmtuara gjatë sulmit që u krye natën.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se gjithsej 337 dronë ukrainas u penguan ose u shkatërruan – në Moskë dhe në nëntë rajone të tjera.
Sulmi me dronë u krye vetëm disa orë para një takimi mes Shteteve të Bashkuara e Ukrainës në Arabinë Saudite, në të cilin pritet të diskutohet për përfundimin e luftës.