“Moment historik” e cilëson përfaqësuesi amerikan samitin e NATO-s në Hagë
Përfaqësuesi i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, e ka përshkruar si “moment historik” samitin e aleancës që po mbahet në Hagë të Holandës.
Ai tha se pritjet e Uashingtonit nga ky samit “kanë qenë goxha të qarta”, me fokusin te rritja e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP), raporton gazeta “The Guardian”.
Amerikani tha se samiti në Hagë është “një moment historik, ndoshta njëri nga momentet më të rëndësishme në historinë e kësaj aleance”, për të cilin ai shpreson se do të çojë në “një rilindje të industrive tona të mbrojtjes, edhe këtu në kontinentin evropian, edhe në Amerikën e Veriut”.
“Kjo fuqi është ajo që do ta ofrojë paqen për gjeneratat e ardhshme, sepse askush nuk do të dojë që të ngatërrohet me NATO-n dhe me aleancën” – shtoi ai.
Përfaqësuesi amerikan tha se shpreson që ta shohë tranzicionin ku Evropa e merr përgjegjësinë parësore për sigurinë e vet, por theksoi se “ShBA-ja nuk do të shkojë askund”.
“Unë e kam thënë këtë shumë herë dhe e di se më keni dëgjuar duke e thënë këtë, Shtetet e Bashkuara do të jenë aleate të besueshme dhe, siç po e shihni dhe siç e keni parë gjatë ditëve të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë kapacitete të caktuara të cilat ju dëshironi t’i ketë një aleancë” – deklaroi Whitaker.
Kur u pyet përsëri për angazhimin e ShBA-së në NATO, ai shtoi: “Po tingëlloj si kasetofon i prishur dhe jam i sigurt se ka njerëz në këtë dhomë që më kanë dëgjuar duke e thënë këtë në shumë vende të ndryshme, qoftë Estonia, Letonia ose Turqia, kudo që kam qenë. Shtetet e Bashkuara nuk do të shkojnë askund.”
“Ne po presim që aleatët tanë evropianë t’i shtojnë (shpenzimet) për të qenë partnerë të barabartë me ne në aleancë dhe, përsëri, ajo fuqi, me të gjithë ne 32 aleatët, është ajo që do ta ofrojë paqen, por Shtetet e Bashkuara janë këtu për të qëndruar” – shtoi përfaqësuesi amerikan./Nacionale