Modi i Indisë arrin për vizitë historike në Ukrainë
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, arriti të premten në Ukrainë për bisedime me presidentin e këtij shteti, Volodymyr Zelensky. Kjo është vizita e parë e një kryeministri indian në Ukrainë që nga koha kur Kievi e fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik më 1991.
Vizita e Modit vjen kur lufta në Ukrainë ndodhet në një kryqëzim të brishtë. Forcat ukrainase ende ndodhen në rajonin perëndimor rus, Kursk, pas sulmit të tyre që nisi më 6 gusht, ndërsa trupat ruse po i vazhdojnë përparimet e ngadalshme por të qëndrueshme në lindje të Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.
Vizita e Modit, që vjen pas qëndrimit të tij në Moskë muajin e kaluar, është e rëndësishme për Kievin që është munduar të ushqejë marrëdhënie diplomatike me Jugun Global në përpjekje për të siguruar një zgjidhje të drejtë për përfundimin e luftës.
“Unë mezi po e pres mundësinë që t’i… ndaj perspektivat për zgjidhjen paqësore të konfliktit të vazhdueshëm të Ukrainës. Si mik dhe partner, ne shpresojmë për një kthim të hershëm të paqes dhe stabilitetit në rajon” – tha Modi para udhëtimit në Ukrainë.
Vizita e Modit në Moskë muajin e kaluar ndodhi në kohën kur Rusia kreu një sulm me raketa në Ukrainë që goditi një spital të fëmijëve. Ai sulm e kishte nxitur kryeministrin indian që të përdorte gjuhë emocionale për ta qortuar presidentin rus, Vladimir Putin, në takimin mes tyre.