Mjeku amerikan flet për plagët e viktimave të sulmit në Illinois: Si në kohë lufte - NACIONALE

Mjeku amerikan flet për plagët e viktimave të sulmit në Illinois: Si në kohë lufte

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Dr. David Baum, i cili i trajtoi viktimat e sulmit në Highland Park të ShBA-së të hënën, i përshkroi disa nga skenat e tmerrshme ku ai ishte dëshmitar.

Baum dhe bashkëshortja e tij ishin si shikues në paradë, ndërsa nipi i tyre ishte pjesëmarrës. Kur familja e tij iku nga të shtënat, mjeku vrapoi në drejtim të vendin të ngjarjes.

Mjeku tha se disa nga trupat ishin hedhur në erë, shkruan televizioni “CNN”, përcjell Nacionale.

“Skena e tmerrshme e disave prej trupave është e papërshkrueshme për personin mesatar. Duke qenë mjek, unë kam parë gjëra në sallat emergjente, e dini, sheh shumë gjak. …por ishte një lëndim me nxjerrje organesh nga fuqia e kësaj arme dhe plumbave. Ishte një person tjetër që kishte një lëndim të papërshkrueshëm në kokë. E papërshkrueshme”, tha mjeku për televizionin amerikan.

Duke folur në vendin e ngjarjes, ku gjësendet e pjesëmarrësve të paradës së Ditës së Pavarësisë ende shiheshin në prapavijë, Baum tha se komuniteti lokal nuk do të jetë kurrë më i njëjti.

“Jam rritur këtu dhe u ktheva këtu me bashkëshorten. I kemi rritur fëmijët këtu. Vajza dhe thjeshtri im u vendosën këtu, sepse ata ishin të brengosur për dhunën me armë dhe vjedhjen e veturave në qytet, kur u lindi djali. E tash njerëzit janë të frikësuar që t’i dërgojnë fëmijët në çerdhe”, tha mjeku.

“E dini, nuk mund të pini (alkool) deri në moshën 21-vjeçare, por ende nuk e di se pse ky shtet lejon një 18-vjeçar që të ketë armë të prodhuar për luftë. Lëndimet që i pashë – kurrë s’kam shërbyer në luftë – por ato janë lëndime në kohë lufte. Ato shihen te viktimat e luftës, jo te viktimat në një paradë”, shtoi Baum.

Sipas tij, njerëzit në paradë u vranë brenda 30 sekondash, duke shtuar: “Nuk do të marr më pjesë në ndonjë paradë. Nuk do të shkoj në ndonjë ngjarje sportive. Kam frikë që nipi im të shkojë në shkollë. Të gjithë duhet ta ndryshojmë sjelljen tonë dhe të mos i bëjmë gjërat që i duam për shkak të kësaj situate.

Policia amerikane arrestoi të hënën një të dyshuar për sulmin, të identifikuar me emrin Robert E. Crimo III. Gjashtë persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën.

Lajme të ngjashme