Mirëmbajtësi e ndal frigoriferin, shkatërron 20 vjet punë kërkimore me vlerë prej 1 milion dollarësh, thuhet në padi
Një mirëmbajtës universiteti, i cili kishte ndalur një frigorifer, pasi kishte dëgjuar shumë “alarme bezdisëse”, ka shkatërruar më shumë se 20 vjet punë hulumtuese, sipas një padie të paraqitur kundër punëdhënësit të tij nga Instituti Politeknik Rensselaer në Nju Jork.
Mirëmbajtësi, i cili nuk është paditur në padi, ishte kontraktor i kompanisë “Daigle Cleaning Systems Inc.” që kishte punuar për disa muaj më 2020 në universitetin privat në Troy të Nju Jorkut, raporton televizioni CNN.
Shkolla është duke kërkuar më shumë se 1 milion dollarë si dëmshpërblim dhe për tarifa ligjore nga kompania “Daigle Cleaning Systems” si rezultat i këtij incidenti.
Në frigoriferin e laboratorit ndodheshin rezultatet e hulumtimeve që ishin bërë për më shumë se 2- vjet, përfshirë kultura dhe monstra qelizash, për të cilat “një luhatje e vogël e temperaturës prej tri gradësh do të shkaktonte dëm katastrofal”, sipas padisë së paraqitur në Gjykatën Supreme të Distriktit Rensselaer.
Kolegji nuk beson se mirëmbajtësi ka faj, por e fajëson kompaninë “Daigle Cleaning Systems” për dështim rreth trajnimit të duhur dhe mbikëqyrjes ndaj punëtorit, sipas padisë.
Në padi thuhet se në frigorifer ishte lënë një letër, ku shkruhej me shkronja të mëdha: “Ky frigorifer bën zhurmë sikur është duke u ndrequr. Ju lutem mos e lëvizni apo hiqni nga rryma. Nuk kërkohet pastrim në këtë zonë. Mund ta shtypni pullën për ndaljen e alarmit/testit për 5 – 10 sekonda, nëse doni që ta ndalni zërin.”
Sidoqoftë, më 17 shtator, mirëmbajtësi i dëgjoi ato që më vonë i quajti “alarme të bezdisshme”, sipas padisë. Në përpjekje për të ofruar ndihmë, ai i kishte ndalur siguresat që ishin të lidhura me linjën prej nga furnizohej frigoriferi me rrymë, duke i kthyer gabimisht nga “on” në “off”, sipas padisë. Kështu, thuhet se temperatura e frigoriferit u rrit në -32 gradë Celsius.
Të nesërmen, studentët hulumtues e gjetën frigoriferin të ndalur dhe pavarësisht nga përpjekjet për ta shpëtuar punën kërkimore, shumica e kulturave ishin dëmtuar, shkatërruar ose vlerësuar të pashpëtueshme, duke shkatërruar më shumë se 20 vjet punë hulumtuese, thuhet në padi.