Ministria në Gaza: Numri i të vrarëve në luftë ka shkuar në mbi 30.000
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që menaxhohet nga Hamasi, ka thënë se numri i të vrarëve në enklavë që nga fillimi i luftës ka shkuar në mbi 30 mijë, raporton agjencia franceze e lajmeve, AFP.
Lufta mes Izraelit dhe Hamasit është duke u zhvilluar qe gati pesë muaj, ndërsa shifra e përgjithshme e viktimave u përditësua të enjten, përcjell gazeta “The Guardian”.
Në shifrën e re nuk përfshihet dallimi mes luftëtarëve dhe civilëve dhe ajo nuk është vërtetuar në mënyrë të pavarur.
Ndërkohë, ndërmjetësuesit thonë se një marrëveshje armëpushimi mes palëve ndërluftuese mund të jetë vetëm disa ditë larg, ndërsa agjencitë e ndihmave po e ngrenë alarmin për rrezikun e vdekjes nga uria në pjesën veriore të Gazës.
Shifra e re e përgjithshme e palestinezëve të vrarë erdhi pasi të paktën 79 persona vdiqën gjatë natës në Rripin e Gazës, tha Ministria e Shëndetësisë.
Lufta filloi pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit të kaluar, kur u vranë 1.200 njerëz e mbi 200 të tjerë u morën peng, sipas autoriteteve izraelite.
Mendohet se armëpushimi i mundshëm do të zgjaste gjashtë javë, gjatë të cilave 40 pengje izraelite do të liroheshin në mënyrë graduale. Gratë civile dhe ushtare do të liroheshin së pari.
Në këmbim, rreth 400 të burgosur palestinezë, disa prej të cilëve të dënuar për shkelje serioze terroriste, do të liroheshin nga burgjet izraelite.
Asnjë dokument nuk është bërë publik në lidhje me propozimet e reja të palëve, por spekulimet vetëm u shtuan, kur presidenti amerikan, Joe Biden, tha të hënën se një marrëveshje armëpushimi mund të arrihet në fillim të javës së ardhshme.
Ushtarët izraelitë mund të largohen nga disa prej zonave me popullsinë më të dendur në Gaza, ndërsa disa prej 1,8 milion palestinezëve të shpërngulur nga luftimet nga tetori mund të jenë në gjendje për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në veri.