Ministri rus i Mbrojtjes thotë se burimet ushtarake të Ukrainës pothuajse janë shterur - NACIONALE

Ministri rus i Mbrojtjes thotë se burimet ushtarake të Ukrainës pothuajse janë shterur

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, u tha zyrtarëve të martën se aftësia e Ukrainës për të luftuar “pothuajse është shterur” dhe se lufta i ka shpërfaqur pikat e dobëta të sistemeve perëndimore të armëve, të cilat Moska së shpejti do t’i publikojë.

Duke folur në një konferencë të sigurisë në Moskë, ku mori pjesë edhe homologu kinez, Li Shangfu, Shoigu tha se konflikti në Ukrainë ka qenë një test serioz për Rusinë, raporton agjencia“Reuters”.

“Në operacionin special ushtarak, ushtria ruse ka demaskuar shumë mite për superioritetin e standardeve ushtarake perëndimore”- tha ministri Shoigu në një fjalim të rrallë publik, sipas një teksti të ofruar nga Ministria e Mbrojtjes.

“Rezultatet preliminare të operacioneve luftarake tregojnë se burimet ushtarake të Ukrainës janë pothuajse të shterura”- shtoi politikani që njihet si njëri ndër aleatët më të fortë të presidentit rus, Vladimir Putin. Megjithatë, Shoigu nuk paraqiti dëshmi për t’i mbështetur deklaratat e tij.

Perëndimi e paraqet luftën ën Ukrainë si gafën më të madhe strategjike të Moskës që nga pushtimi sovjetik i Afganistanit më 1979 dhe udhëheqësit perëndimorë thonë se duan që ta mposhtin Rusinë në fushëbetejat e Ukrainës. Sidoqoftë, një kundërsulm i forcave ukrainase deri më tani nuk ka prodhuar ndonjë sukses të madh territorial.

Në anën tjetër, Rusia thotë se do t’i arrijë të gjitha qëllimet e saj në Ukrainë, shtet që e përshkruan si kukull të Perëndimit. Moska vazhdimisht ka dhënë shenja se është e përgatitur për të zhvilluar luftë të gjatë dhe ka ndarë një pjesë të madhe të fondeve për shpenzime ushtarake.

Shoigu tha se do të publikojë hollësi rreth dobësive të armëve perëndimore dhe se asnjëra prej tyre nuk është e pacenueshme.

“Ne kemi të dhëna për... shkatërrimin e tankeve gjermane, automjeteve të blinduara amerikane, raketave britanike e sistemeve të tjera të armëve. Ne jemi të gatshëm për t’i ndarë vlerësimet tona... me partnerët tanë”- tha ministri rus.

Shoigu e akuzoi Ukrainën se në mënyrë të vazhdueshme po e përdor infrastrukturën civile për të fshehur ushtarë dhe pajisje të rënda ushtarake dhe se Kievi kishte bombarduar vendbanime civilësh në pjesën lindore të Ukrainës të kontrolluar nga rusët.

Sipas tij, Ukraina e kishte përdorur marrëveshjen për eksportimin e drithit nëpër Detin e Zi për të grumbulluar armë e municion në Odesa e në porte të tjera. Ukraina vazhdimisht ka mohuar se e përdor infrastrukturën civile për qëllime ushtarake dhe mohon se i vë në shënjestër civilët.

Lajme të ngjashme