Ministri rumun e përjashton rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak - NACIONALE

Ministri rumun e përjashton rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Mbrojtjes i Rumanisë, Angel Tilvar, e ka përjashtuar mundësinë për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Rumani në kohën e diskutimeve rreth masave për ta përgatitur më mirë shtetin e NATO-s në rast të përhapjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Rumania tash për tash ka ushtri profesionale me 80 mijë ushtarë si dhe trupa rezervë pas shfuqizimit të shërbimit të detyrueshëm ushtarak më 2007, tri vjet pas anëtarësimit në NATO më 2004, raporton Radio “Evropa e Lirë”.

Komandanti i ri i ushtrisë rumune, Gjeneral Gheorghita Vlad, javën e kaluar i tha Radios “Evropa e Lirë” se vendi duhet të miratojë urgjentisht një kornizë ligjore që do t’u lejonte vullnetarëve civilë ndjekje të trajnimit ushtarak, deklaratë që krijoi hapësirë për spekulime në mesin e rumunëve se do të rikthehej shërbimi i detyrueshëm ushtarak.

“Rikthimi i një shërbimi të detyrueshëm ushtarak është jashtë diskutimit, të paktën gjatë mandatit tim si ministër i Mbrojtjes. Unë e kam përjashtuar këtë mundësi. Tash për tash nuk ka diskutime për këtë” – tha ai të hënën.

Megjithatë, Tilvari e konfirmoi deklaratën e komandantit të ushtrisë se një ligj është duke u diskutuar nga Ministria e Mbrojtjes për vullnetarë të moshave 18 deri në 35-vjeçare dhe që do të përfshinte një pagesë për ata që e kompletojnë programin.

“Një shërbim ushtarak vullnetar i tillë do ta plotësonte nevojën për një forcë rezervë, pasi secili shtet është i preokupuar me sigurimin e fuqisë njerëzore të mjaftueshme për një forcë rezervë” – shtoi ministri.

Sipas tij, ushtria rumune vitin e kaluar humbi shtatë mijë ushtarë profesionistë, qoftë për shkak të pensionit, qoftë për shkak të dorëheqjeve.

Tilvari u bëri jehonë deklaratave të presidentit Klaus Iohannis dhe kryeministrit Marcel Ciolacu, të cilët e kanë siguruar popullin se Rumania nuk është në rrezik të menjëhershëm për t’u sulmuar dhe është anëtare e NATO-s.

Presidenti rumun tha javën e kaluar se Rumania “kurrë nuk ka qenë më mirë e mbrojtur se tani, si shtet anëtar i NATO-s”, ndërsa kryeministri Ciolacu tha: “Nuk ka rrezik që Rumania të përfshihet në ndonjë luftë tash për tash. Rumania kurrë nuk ka qenë më e sigurt.”

Pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës, NATO-ja i ka fuqizuar anëtarët e saj në Evropë dhe ka themeluar katër grupe shumëkombëshe shtesë të betejave në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki./Nacionale

Lajme të ngjashme