Ministri izraelit thotë se trupat do të mbeten në Gaza, Liban e Siri për kohë të pacaktuar
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha të mërkurën se trupat e vendit të tij do të mbeten në të ashtuquajturat zona të sigurisë në Rripin e Gazës, Liban dhe Siri për kohë të pacaktuar.
“Ndryshe nga e kaluara, (ushtria izraelite) nuk do të evakuohet nga zonat që janë pastruar dhe kapur” – tha në një deklaratë ministri izraelit. Ushtria “do të mbetet në zonat e sigurisë si pjesë neutrale mes armikut dhe komuniteteve (izraelite) në cilëndo situatë të përkohshme ose të përhershme në Gaza, njësoj si në Liban e Siri” – shtoi ai, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Forcat izraelite kanë marrë nën kontroll zona të mëdha në Gaza javëve të fundit gjatë një fushate të përtërirë për t’i bërë presion Hamasit që t’i lirojë pengjet, pasi Izraeli i dha fund armëpushimit muajin e kaluar.
Izraeli gjithashtu ka refuzuar që të tërhiqet nga disa zona në Liban pas një armëpushimi të arritur vitin e kaluar me Hezbollahun si dhe ka marrë nën kontroll një zonë neutrale në jug të Sirisë pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad.
Izraeli thotë se duhet ta mbajë kontrollin e territoreve të tilla për të parandaluar një përsëritje të sulmit të Hamasit të vitit 2023, kur mijëra militantë kishin hyrë në jug të vendit nga Rripi i Gazës.