Ministri izraelit i së djathtës ekstreme: Gaza duhet të pushtohet plotësisht pas luftës - NACIONALE

Ministri izraelit i së djathtës ekstreme: Gaza duhet të pushtohet plotësisht pas luftës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministri i Trashëgimisë i Izraelit, Amihai Eliyahu, anëtar i partisë së të djathtës ekstreme, “Otzma Yehudit”, ka thënë se vendi i tij duhet ta pushtojë plotësisht Rripin e Gazës pas luftës, sepse, sipas tij, palestinezët nuk janë në gjendje që ta kontrollojnë këtë territor pa e shndërruar në vatër terrori.

“Kushdo që sot po e shet idenë që [palestinezët] mund të kthehen tek udhëheqja e gjërave, nuk e mban mend atë që ndodhi [më 7 tetor]”- tha Eliyahu, raporton gazeta "The Times of Israel".

Izraeli i kishte larguar forcat dhe kolonët nga Gaza në vitin 2005 dhe prej asaj kohe është ballafaquar me sulme të përsëritura nga grupe palestineze. Që nga fillimi i luftës, Izraeli ka refuzuar të tregojë se çfarë parashikon për Rripin e Gazës pas përmbushjes së qëllimit për ta larguar Hamasin nga pushteti, edhe pse kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se qeverisja nuk mund t’i besohet Autoritetit Palestinez.

As ministri Eliyahu nuk tregoi se si e parashikon qeverisjen e mundshme izraelite në Gaza. Kur u pyet nëse autoritetet izraelite duhet t’i mbikëqyrin çështjet civile, ai u shpreh i rezervuar, duke thënë vetëm që palestinezët nuk mund ta bëjnë atë.

Ai shtoi se dëshiron që “t’i rivendosë vendbanimet” në Rripin e Gazës, por pranoi se “kjo nuk është patjetër koha për atë”.

Eliyahu mori vëmendje të madhe nga mediat në nëntor, kur tha se njëra nga opsionet e Izraelit në luftën kundër Hamasit mund të ishte hedhja e një bombe bërthamore në Gaza – komente që u mohuan shpejt nga Netanyahu, i cili e pezulloi këtë ministër nga takimet e kabinetit.

Lajme të ngjashme