Ministri i Jashtëm i Gjermanisë arrin në Kiev për ta diskutuar mbështetjen për Ukrainën
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka arritur në Kiev për ta diskutuar mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, tha të hënën Ministria e Jashtme e Gjermanisë.
“Ne do të vazhdojmë që të qëndrojmë në mënyrë të vendosur në anën e Ukrainës në mënyrë që ajo të mund të vazhdojë që ta mbrojë veten me sukses – me mbrojtje ajrore modern dhe me armë të tjera, me ndihmë humanitare dhe ekonomike” – tha në një deklaratë kryediplomati gjerman, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për ndihmë nga Uashingtoni dhe aleatët e tjerë perëndimorë për ta fuqizuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës pas një sulmi rus të dielën, në të cilin u përfshinë qindra dronë, raketa balistike e me drejtim.
Gjermania është mbështetësja ushtarake e dytë më e madhe e Ukrainës pas Shteteve të Bashkuara, përkushtimi i të cilave ndaj Kievit është vënë në pikëpyetje, duke i bërë trysni Evropës që ta shtojë përkrahjen për Kievin.
Ministri Wadephul publikoi një video gjatë udhëtimit të tij me tren.
“Mirëmbrëma nga treni, rrugës për në Kiev. Unë tashmë jam në Ukrainë, por kur ju ta shihni këtë video, atëherë unë do të kem ardhur në Kiev” – tha ai./Nacionale
Guten Morgen aus der Ukraine 🇺🇦 pic.twitter.com/mbvfuE0niz
— Johann Wadephul (@AussenMinDE) June 30, 2025