Ministri gjerman shqetësohet për një nënvariant të ri të koronavirusit
Ministri i Shëndetësisë i Gjermanisë ka shprehur shqetësim për një nënvariant të ri të koronavirusit, i cili është lidhur me rritjen e numrit të pacientëve në spitale në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara. Ai ka thënë se Berlini është duke e përcjellë me kujdes situatën në ShBA.
Përderisa një pjesë e madhe e botës po e përcjell rritjen e rasteve me Covid-19 në Kinë, ekspertët e sëmundjeve ngjitëse janë bërë gjithnjë më të brengosur edhe për nënvariantin shumë ngjitës, Omicron XBB.1.5, i cili përbënte mbi 40 për qind të rasteve në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave zyrtare javën e kaluar.
“Shpresoj qe ta kalojmë dimrin para se një variant i tillë të përhapet mes nesh. Ne po vëzhgojmë nëse, dhe në çfarë mase, XBB.1.5 do të shfaqet në Gjermani”- shkroi ministri gjerman të mërkurën vonë në “Twitter”.
Die neue Variante XBB.1.5 lässt im Nordosten der USA die Krankenhauseinweisungen steigen. Hoffentlich kommen wir durch den Winter bevor eine solche Variante sich bei uns ausbreiten kann. Wir überwachen, ob und wie stark XBB.1.5. in Deutschland auftritt. https://t.co/Ejn13yXVWC
— Prof. Karl Lauterbach (@Karl_Lauterbach) January 4, 2023
Shtatë nga dhjetë shtetet e ShBA-së, që po shënojnë rritje të numrit të rasteve dhe të pacientëve, janë në pjesën verilindore, në vijë me numrin më të madh të rasteve me nënvariantin XBB, i tha agjencisë “Reuters” në një intervistë të realizuar rishtazi Dr. Michael Osterholm-i, ekspert i sëmundjeve ngjitëse në Universitetin e Minesotës.
Virologët dhe epidemiologët thonë se ky nënvariant i variantit Omicron ka veçori që i japin potencial për të shkaktuar rritje të re të numrit të rasteve me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara, edhe pse është ende e paqartë se sa e madhe do të ishte kjo ajo valë dhe nëse ajo do të shkaktonte numër shumë më të madh të pacientëve në spitale, raporton televizioni amerikan, CNN.
