Ministri gjerman i Mbrojtjes arrin për vizitë në Ukrainë
Ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, arriti të martën në Kiev në një vizitë që për qëllim e kishte dërgimin e një sinjali të qartë të mbështetjes evropiane para inaugurimit të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili ka bërë thirrje për bisedime të paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Gjëja e parë dhe më e rëndësishme është që të bëhet shumë e qartë psikologjikisht dhe politikisht që ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me Ukrainën” – tha ministri gjerman pas arritjes në Kiev, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Ai do të takohet me zyrtarë qeveritarë ukrainas për të diskutuar rreth ndihmave të mëtejme dhe do ta vlerësojë gjendjen ushtarake.
Vizita e Pistoriusit, qëllimi i së cilës është gjithashtu sinjalizimi i përkrahjes gjermane për Kievin pak më shumë se një muaj para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, vjen më pak se një javë para betimit të Donald Trumpit në mandatin e dytë si president i ShBA-së më 20 shkurt.
Gjermania është në mesin e mbështetëseve kryesore ushtarake të Ukrainës në luftën e saj kundër Rusisë. Në Gjermani ka debat rreth përkrahjes së Berlinit për Ukrainën para zgjedhjeve të parakohshme gjermane të caktuara për datën 23 shkurt, sidomos në kohën kur presidenca në ardhje e Trumpit po i bën trysni Evropës për ta fuqizuar mbrojtjen e vet.
Gjatë një samiti të NATO-s në Hagë në qershor pritet të diskutohet ngritja e pragut të shpenzimeve në fushën e mbrojtjes nga 2 për qind e prodhimit vendës bruto, sa është tani. Disa ekspertë e kanë përmendur nivelin prej 3 për qind të prodhimit vendës bruto si cak i ri i mundshëm. Sidoqoftë, Trumpi ka kërkuar që shpenzimet e mbrojtjes të ngrihen në 5 për qind të prodhimit vendës bruto./Nacionale