Ministri francez thotë se populli duhet të punojë më shumë
Njerëzit në Francë duhet të punojnë më shumë, tha të hënën ministri i Ekonomisë, Financave dhe Industrisë, Antoine Armand.
Sipas tij, fakti që francezët punojnë më pak se punëtorët e tjerë në Evropë po e dëmton ekonominë për shkak të kontributeve më të ulëta në taksa dhe pagesa të sigurisë sociale, raporton agjencia “Reuters”.
Qeveria është duke ekzaminuar reforma për ta përshpejtuar rritjen e plogësht ekonomike, edhe pse ndryshimet në praktikat e punës shpesh kundërshtohen nga sindikatat e punëtorëve.
“Mesatarisht, një person francez punon qartazi më pak se fqinjët e tij [në shtete të tjera], gjatë rrjedhës së një viti” – tha ministri Armand në televizionin “C News TV”.
“Pasoja e kësaj janë pagesat më të pakta për siguri sociale, më pak para për t’i financuar modelet tona sociale, më pak arkëtime nga taksat dhe përfundimisht më pak vende pune e më pak rritje ekonomike” – u ankua ai.
Franca, ekonomia e dytë më e madhe në eurozonë, synon që ta zvogëlojë deficitin publik në 5 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP) deri më 2025.
Java me 35 orë pune, e futur në fuqi në vitin 2000 në Francë, zakonisht është mbrojtur ashpër nga sindikatat e punëtorëve, ndërsa edhe reformat në sistemin pensional kanë shkaktuar protesta të gjera.
“Le të punojmë të gjithë pak më shumë, thënë në mënyrë kolektive, duke filluar nga garancia që secili ta respektojë orarin e punës që i është dhënë, në të gjithë sektorët” – tha ministri francez.