Ministri Ben-Gvir kërcënon me rrëzimin e Qeverisë Netanyahu, nëse Hamasi mbetet në pushtet në Gaza - NACIONALE

Ministri Ben-Gvir kërcënon me rrëzimin e Qeverisë Netanyahu, nëse Hamasi mbetet në pushtet në Gaza

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, i njohur për qëndrimet e së djathtës ekstreme, paralajmëroi të enjten se partia e tij do t’i nisë lëvizjet për ta rrëzuar Qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, nëse Hamasi në fund nuk shpërbëhet.

“Nëse qeveria e Hamasit nuk çmontohet ose nëse vetëm na thonë se është çmontuar, përderisa në realitet vazhdon të ekzistojë nën një maskë tjetër, [partia ime] Fuqia Hebraike do ta shpërbëjë Qeverinë [e Izraelit]” – tha Ben-Gviri në një deklaratë para një takimi të kabinetit qeveritar, në të cilin pritet miratimi i planit për armëpushim në Gaza dhe lirimin e pengjeve, shkruan gazeta “The Guardian”.

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, i konfirmoi elementet e planit të paraqitur nga presidenti amerikan. “Ne jemi të përkushtuar ndaj planit të Trumpit” – tha ai.

Kur u pyet nëse marrëveshja e nënkupton përfundimin e luftës, kryediplomati izraelit tha se “është zbatimi i fazës së parë” – duke iu referuar planit 20-pikësh të Trumpit. “Ne nuk kemi ndonjë synim për ta përtërirë luftën” – tha ministri Sa’ar.

Brenda 24 orëve pas miratimit të planit të Trumpit nga Qeveria e Izraelit, forcat izraelite do të vendosen përgjatë vijës së verdhë, linjë për tërheqjen e ushtrisë izraelite brenda Gazës.

Brenda 72 orëve pas ridislokimit, 20 pengje të gjalla izraelite dhe 28 pengje të vdekura do të lirohen nga robëria në Gaza.

Në këmbim, Izraeli do të lirojë të burgosur palestinezë që janë duke u mbajtur në burgjet izraelite. Këtu përfshihen 250 që janë të dënuar me burgim të përjetshëm./Nacionale

Lajme të ngjashme