Militantët po mbajnë peng rreth 250 njerëz në një tren të rrëmbyer në Pakistan - NACIONALE

Militantët po mbajnë peng rreth 250 njerëz në një tren të rrëmbyer në Pakistan

1 javë më parë

nga NACIONALE

Forcat pakistaneze ishin në një ballafaqim të tensionuar të mërkurën me qindra militant që po mbajnë peng rreth 250 persona në një tren që e rrëmbyen një ditë më parë, thanë zyrtarët.

Forcat e sigurisë u përmbajtën nga betejat e hapura, përderisa militantët me jelekë të mbushur me lëndë shpërthyese e kishin barrikaduar veten brenda trenit bashkë me pengjet, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Ushtria Çlirimtare Baloçe, forcë separatiste, e mori përgjegjësinë për sulmin e së martës në një tunel në Bolan, district në provincën e Baloçistanit. Zëdhënësi i këtij grupi, Jeeyand Baloch, tha se ata janë të gatshëm t’i lirojnë pasagjerët, nëse autoritetet pajtohen për të liruar militantë.

Nuk ka pasur komente nga Qeveria e Pakistanit, e cila në të kaluarën ka refuzuar kërkesa të tilla.

Të paktën 30 militantë u vranë gjatë shkëmbimit fillestar të zjarrit nga e marta. Deri të mërkurën vonë, forcat e sigurisë kishin shpëtuar 190 nga 450 pasagjerët që ndodheshin fillimisht në tren, sipas tre zyrtarëve të lartë të sigurisë.

Helikopterët po u ofronin mbështetje forcave pakistaneze në rajon, tha zëdhënësi Shahid Rind, i cili e përshkroi sulmin si “akt terrorizmi”.

Kjo është hera e parë që Ushtria Çlirimtare Baloçe rrëmbeu një tren, edhe pse grupi në të kaluarën ka sulmuar trena. Në shënjestër të grupit janë rregullisht forcat e sigurisë, por në të kaluarën ka sulmuar edhe civilë, përfshirë disa shtetas kinezë që po punonin në projekte miliardëshe të lidhura me Korridorin Ekonomik Kinë – Pakistan. Sipas vlerësimeve, ky grup ka rreth tre mijë luftëtarë.

Lajme të ngjashme