Militantët palestinezë e nisin dorëzimin e tri pengjeve izraelite
Militantët palestinezë të enjten e filluan dorëzimin e tri pengjeve izraelite në Gaza në këmbim të 110 të burgosurve palestinezë që do të lirohen në fazën më të re të marrëveshjes së armëpushimit.
Një ushtare izraelite, Agam Berger, e përshëndeti turmën me dorë nga një skenë në Jabalia në pjesën veriore të Gazës para se t’i dorëzohej Kryqit të Kuq, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Gadi Moses, 80 vjeç, dhe Arbel Yahud, 29 vjeçe, të dy të rrëmbyer nga vendbanimi Kibbutz Nir Oz gjatë sulmit të udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, e përqafuan njëri-tjetrin në prani të burrave të armatosur e të maskuar, të veshur me uniforma të zeza, në një vend tjetër ku do të bëhet shkëmbimi, në Khan Younis, në jug të Gazës, sipas një videoje të publikuar nga Xhihadi Islam, aleat i Hamasit.
Zëdhënësi i krahut të armatosur të grupit tha në rrjetin “Telegram” se grupi i kishte “përfunduar procedurat për dorëzimin e dy pengjeve izraelite”.
Një zyrtar izraelit i tha agjencisë “Reuters” se tri pengjet pritet të dërgohen në tri spitale të ndryshme në Izrael, edhe pse kjo mund të ndryshojë, varësisht nga kontrollimi i tyre fillestar nga mjekët.
Izraelitët filluan të grumbulloheshin në atë që është bërë i njohur si “Sheshi i Pengjeve”, në qendër të Tel-Avivit, që është bërë vend qendror i përpjekjeve për fushatë në emër të pengjeve që po mbahen në Gaza.
Tre civilë e katër ushtare izraelite – të gjithë të gjinisë femërore – janë liruar deri më tani si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, e cila filloi më 19 janar. Si këmbim, Izraeli ka liruar 290 të burgosur e të ndaluar palestinezë.