Milanoviqi rizgjidhet president i Kroacisë me fitore dërrmuese në balotazh - NACIONALE

Milanoviqi rizgjidhet president i Kroacisë me fitore dërrmuese në balotazh

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq, e ka siguruar mandatin e dytë në krye të vendit ballkanik pas një fitoreje dërrmuese në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale.

Ky ishte një rezultat dëshpërues për kundërshtarin e tij, Dragan Primorac, i cili e kishte mbështetjen e Unionit Demokratik Kroat, partia që e udhëheq qeverinë kroate, raporton televizioni BBC.

Milanoviqi mori mbi 74 për qind të votave, ndërsa Primoraci rreth 25 për qind – rezultati më i keq ndonjëherë për partinë më të fuqishme politike të Kroacisë.

Rezultati u prit me përgjigje të heshtur nga kryeministri Andrej Plenkoviq, i cili refuzoi ta uronte fituesin dhe këmbënguli se “Milanoviqi nuk ofron asgjë”.

Sidoqoftë, presidenti tha se “do t’ia ofrojë dorën” kryeministrit.

Në Kroaci, presidenti mban rol kryesisht ceremonial. Sipas kushtetutës, ai ose ajo nuk duhet të jetë figurë e ndonjë partie politike dhe vepron si udhëheqës shteti për të gjithë qytetarët.

Milanoviqi shpesh e ka kritikuar partinë në pushtet për çështje të ndryshme, përfshirë korrupsionin, inflacionin dhe kujdesin shëndetësor.

Edhe pse e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, ai gjithashtu e ka kritikuar shpesh mbështetjen ushtarake të Perëndimit për Kievin.

Para se të bëhej president, Milanoviqi ishte kryeministër i Kroacisë në periudhën nga viti 2011 deri më 2016 dhe e ka udhëhequr Partinë Socialdemokrate nga viti 2007 deri më 2016./Nacionale

Lajme të ngjashme