Meta paralajmëron ndalimin e WhatsApp në Mbretërinë e Bashkuar
Kreu i aplikacionit të mësazheve WhatsApp, Will Cathcart nga kompania mëmë Meta, ka paralajmëruar se projektligji i ardhshëm i Sigurisë në internet i Mbretërisë së Bashkuar mund ta detyrojë aplikacionin të dobësojë enkriptimin nga ‘fundi në fund’ që aktualisht i siguron mesazhet.
Ai ka konfirmuar se nëse qeveria do ta detyronte kompaninë të dobësonte atë siguri, WhatsApp do të refuzonte, duke lënë të hapur mundësinë që aplikacioni të ndalohet tërësisht brenda vendit.
Kriptimi nga ‘fundi në fund’, i siguron mesazhet duke garantuar që mund të lexohen vetëm nga dërguesi dhe marrësi, madje edhe vetë shërbimet nuk kanë akses.
Kompanitë e teknologjisë dhe ekspertët e sigurisë thonë se është e nevojshme të mbrohen mesazhet nga hakerimet dhe kërcënimet e tjera, megjithatë zyrtarët, përfshirë ata në Mbretërinë e Bashkuar, kanë argumentuar se ky enkriptim duhet të dobësohet në mënyrë që mesazhet të mund të skanohen për përmbajtje të paligjshme.
Cathcart ka shprehur tronditjen nëse kompania do të detyrohej për një gjë të tillë nga politika në MB.
"Është një gjë e jashtëzakonshme për të menduar. Përvoja me të cilën jemi përballur në të gjithë botën është që ka ndodhur vetëm në qeveritë që po përpiqeshin të shtypnin aftësinë e qytetarëve të tyre për të komunikuar lirshëm,”- është shprehur ai.
Ai ka shtuar se nëse qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të kërkonte ndryshime të tilla, ajo do të "formojë atë që vendet e tjera në mbarë botën kërkojnë për tema të ndryshme, për çështje të ndryshme".
