Mësime nga zgjedhjet e mbajtura në 70 shtete më 2024 - NACIONALE

Mësime nga zgjedhjet e mbajtura në 70 shtete më 2024

1 vit më parë

nga NACIONALE

Londër, (AP) – Kur votuesit përreth globit e thanë fjalën e tyre më 2024, porosia shpesh ishte: Je i shkarkuar.

Rreth 70 shtete, ku banon gjysma e popullsisë së botës, mbajtën zgjedhje vitin që shkoi dhe, në shumë prej tyre, pushtetarët u ndëshkuan. Nga India në ShBA, nga Japonia në Francë e Britani, votuesit e lodhur me pengesat ekonomike dhe jostabilitetin global i refuzuan qeveritë në pushtet – dhe nganjëherë zgjodhën autsajderë përçarës.

Peizazhi i paqëndrueshëm demokratik u duk se vetëm u bë më i vrazhdë, përderisa një vit dramatik po i aftohej fundit, me protesta masive në Mozambik e Gjeorgji, zgjedhje të anuluara në Rumani dhe me një përpjekje për ta futur në fuqi ligjin ushtarak në Korenë e Jugut.

Cas Mudde, profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Georgia-s, i cili merret me studimin e ekstremizmit dhe demokracisë, e përmblodhi vitin 2024 në revistën “Prospect” si “vit i mrekullueshëm për të djathtën ekstreme, vit i tmerrshëm për pushtetarët aktualë dhe vit i mundimshëm për demokracinë përreth botës”.

Goditja ndaj pushtetarëve

Një porosi e dërguar nga votuesit më 2024: atyre u është bërë mjaft.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Mançesterit, Rob Fort, ia atribuon disponimin kundër partive në pushtet “Covid-it të gjatë elektoral” – pengesat e zgjatura shëndetësore, arsimore, sociale e ekonomike të ndërlidhura me pandeminë, që kanë bërë miliona njerëz më pak të lumtur ose i kanë vënë në situatë më të vështirë. Inflacioni I lartë, i nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës, dhe zhvendosja masive nga ajo luftë dhe nga konfliktet në Lindjen e Mesme e në Afrikë e kanë përkeqësuar gjendjen e vështirë globale.

Afrikën e Jugut, papunësia e lartë dhe pabarazia ndikuan në një humbje dramatike të mbështetjes për Kongresin Kombëtar Afrikan, që kishte qeverisur për tri dekada që nga përfundimi i sistemit të aparteidit nga pushtetarët e pakicës së bardhë. Partia që dikur udhëhiqej nga Nelson Mandela e humbi mbizotërimin politik në zgjedhjet e majit dhe u detyrua që të hynte në koalicion me parti opozitare.

Partitë në pushtet u mposhtën edhe në Senegal, Ganë e Botsuanë, ku votuesit e rrëzuan nga pushteti partinë që ishte duke e udhëhequr vendin për 58 vjet. Partia në pushtet në Namibi e siguroi zgjatjen e mandatit 34-vjeçar, por me epërsi të ngushtë.

Kandidati majtist i opozitës në Uruguaj, Yamandu Orsi, u bë president i ri i vendit në balotazhin e nëntorit, që iu dha një goditje tjetër partive në pushtet.

Indi, demokracia më e madhe në botë, partia nacionaliste hinduse e kryeministrit Narendra Modi, Bharatiya Janata, e humbi shumicën parlamentare në një rezultat shokues zgjedhor pas një dekade mbizotërim. Ajo u detyrua që të qeverisë në koalicion, pasi opozita e dyfishoi fuqinë në Kuvend.

Politika e Japonisë hyri në një periudhë të re të paqartësisë, pasi Partia Demokratike Liberale e kryeministrit Shigeru Ishiba, e cila e ka mbajtur pushtetin pothuajse pa ndërprerje që nga viti 1955, pësoi një humbje të madhe në tetor, në kohën e zemërimit të votuesve me skandalet financiare të partisë. Ajo tani udhëheq një qeveri të pakicës.

Në zgjedhjet e korrikut në Britani, konservatorët u rrëzuan pas 14 vjetëve në pushtet, ndërsa Partia Laburiste e qendrës së majtë siguroi fitore të madhe. Megjithatë, rezultati zbuloi ndarje në rritje: Mbështetja për dy partitë e mëdha, të cilat kanë mbizotëruar në politikën britanike për një shekull, u tkurr, përderisa votuesit zgjodhën parti më të vogla, përfshirë partinë e së djathtës ekstreme, Reform UK, që udhëhiqet nga Nigel Farage.

Autoritarët avancuan

Britania nuk është e vetmja ku u rrit e djathta. Zgjedhjet e qershorit për Parlamentin Evropian sollën goditje ndaj partive në pushtet nga e djathta ekstreme dhe populistët konservatorë në Francë e Gjermani, dy anëtaret më të mëdha e më të fuqishme të BE-së.

Partia kundër imigrantëve, Tubimi Kombëtar, e fitoi rundin e parë të zgjedhjeve parlamentare të qershorit në Francë, por aleancat dhe votimi taktik nga qendra dhe e majta e rrëzuan atë në vend të tretë në rundin e dytë, duke prodhuar një legjislaturë të përçarë dhe një qeveri të brishtë që ra përmes mocionit të mosbesimit më 4 dhjetor.

Austri, Partia e Popullit u mposht në shtator nga Partia e Lirisë, e cila ka qëndrime pro-ruse, edhe pse partitë e tjerë bënë aleancë për ta mbajtur atë jashtë koalicionit qeveritar.

Nepotizmi dhe dinastitë politike vazhduan që të ushtronin ndikim – dhe të sfidoheshin. Pas zgjedhjeve të çrregullta në shkurt, Pakistani e zgjodhi për kryeminsitër Shehbaz Sharif-in, vëlla i ish-kryeminsitrit Nawaz Sharif. Indonezia, demokracia më e madhe në Azinë Juglindore, e zgjodhi president Prabowo Subianto-n, dhëndër i diktatorit të ndjerë, Suharto.

Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina, udhëheqësja grua me pushtetin më të gjatë në botë, e fitoi mandatin e katërt rresht në zgjedhjet e janarit që u bojkotuan nga partitë opozitare. Disa muaj më vonë, pushteti i saj 15-vjeçar mori fund të trazuar: pas protestave masive të udhëhequra nga studentët, ku u vranë qindra njerëz, Hasina u rrëzua në gusht dhe iku në Indi.

Sri-Lankë, votuesit gjithashtu rrëzuan një gardë të diskredituar të pushtetarëve. Ata në shtator e zgjodhën për president marksistin Anura Kumara Dissanayake, dy vjet pasi një lëvizje e gjerë me angazhimin e klasës së mesme e rrëzoi klanin Rajapaksa me pushtet të gjatë.

Mbretëron paqartësia

Ndoshta rezultati më sizmik i vitit, fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit në ShBA, i detyroi aleatët dhe kundërshtarët e Amerikës që të përgatiten për atë se çfarë do të bëjë udhëheqësi i parullës “Amerika së pari” në mandatin e tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Jostabiliteti tashmë mbretëron në disa kontinente. Venezuela ka qenë në krizë politike nga zgjedhjet e korrikut, që u përcollën me akuza për mashtrime serioze. Edhe presidenti Nicolas Maduro, edhe opozita pretenduan se kishin fituar. Pas protestave të opozitës e shtypjes së ashpër, kandidati opozitar, Edmundo Gonzalez, iku në ekzil në Spanjë.

Presidenti konservator i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol – i dobësuar pas rimarrjes së kontrollit nga opozita liberale në zgjedhjet e prillit – e shokoi vendin përmes shpalljes së ligjit ushtarak me një njoftim natën vonë më 3 dhjetor. Kuvendi e rrëzoi vendimin gjashtë orë më vonë dhe pas disa ditëve ia pezulloi kompetencat Yeolit. Kriza në vendin thellësisht të përçarë është larg fundit.

Rruga me gunga e demokracisë me gjasë do të vazhdojë edhe më 2025, kur pushtetarët do të ballafaqohen me sfida në shtete si Gjermania, ku kancelari Olaf Scholz e humbi mocionin e mosbesimit më 16 dhjetor, duke shkaktuar zgjedhje të parakohshme që pritet të mbahen në shkurt. Edhe kanadezët do të votojnë më 2025. Liberalët në pushtet janë gjerësisht të papopullarizuar dhe gjithnjë më të përçarë pas gati një dekade në udhëheqje.

Seema Shah, drejtoreshë për vlerësimin e demokracisë në Institutin Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore me seli në Stokholm, tha se sondazhet globale lënë të kuptohet se mbështetja për konceptin e demokracisë mbetet e fuqishme, por shifrat bien “kur i pyet njerëzit se sa të kënaqur janë me demokracinë në vendin e tyre”.

“Njerëzit duan demokraci. Atyre u pëlqen teoria e saj, por kur e shohin atë duke ndodhur, nuk po i plotëson pritjet e tyre” – tha ajo.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme