Merzi thotë se “lufta në Iran s’është çështje për NATO-n”
Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, e ka përjashtuar pjesëmarrjen e vendit të tij në luftën amerikano-izraelite kundër Iranit.
“Neve na mungon mandati nga Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian ose NATO-ja, që kërkohet sipas së drejtës themelore. Prandaj, ishte e qartë nga fillimi se kjo luftë nuk është çështje për NATO-n” – tha ai në një konferencë për gazetarë në Berlin, raporton televizioni BBC.
Sipas Merzit, Gjermania nuk ishte konsultuar as nga Shtetet e Bashkuara, as nga Izraeli para se të fillonte fushata ushtarake kundër Iranit.
Kjo, theksoi ai, do të thotë se nuk ka pasur kurrë ndonjë diskutim për anë nëse trupat gjermane duhet të përfshihen në konflikt.
“Për këtë arsye nuk ngrihet pyetja se si mund të përfshihet ushtarakisht Gjermania këtu” – tha kancelari gjerman.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, tha se ai kërkoi nga vendet e tjera që të ofrojnë ndihmë për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit “jo pse kemi nevojë për to, por sepse dua të marr vesh se si reagojnë ato”.
Ai gjithashtu përsëriti një pretendim të bërë më parë, duke thënë se Shtetet e Bashkuara gjithmonë i mbrojnë vendet e tjera, por ato nuk do ta mbrojnë ShBA-në, kur një gjë e tillë të jetë e nevojshme.
Për liderin e ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, Trumpi tha: “Nuk dimë nëse është i vdekur apo jo. Askush nuk e ka parë, që është e pazakonshme.” Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ka dëgjuar nga këshilltarët dhe mediat se Khamenei është shpërfytyruar si rezultat i sulmeve.
Agjencia e lajmeve “Reuters”, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar iranian, ka raportuar se Khamenei është lënduar lehtë, por nuk janë publikuar hollësi rreth gjendjes së tij./Nacionale