Merzi i Gjermanisë thotë se ka dyshime rreth qëllimeve të luftës në Iran - NACIONALE

Merzi i Gjermanisë thotë se ka dyshime rreth qëllimeve të luftës në Iran

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, të premten shprehu skepticizëm se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë një strategji të qartë për t’i dhënë fund luftës në Iran, por tha se vendi i tij në parim do të ishte i gatshëm për ta mbështetur stabilizimin e rajonit pas përfundimit të armiqësive.

Që nga fillimi i sulmeve amerikano-izraelite kundër Iranit më 29 shkurt, Irani ka kryer sulme kundër Izraelit, bazave amerikane dhe shteteve të Gjirit Persik si dhe praktikisht e ka bllokuar eksportin e karburanteve nga Lindja e Mesme përmes Ngushticës së Hormuzit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Shtetet evropiane kanë ngurruar që të bëhen pjesë e konfliktit, duke e zemëruar presidentin amerikan, Donald Trump.

“Unë thjesht nuk jam i bindur se ajo që është duke ndodhur tani – ajo që janë duke e bërë Amerika dhe Izraeli – do të çojnë në të vërtetë në sukses” – tha Merzi në një konferencë të organizuar nga gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Berlini është i përfshirë në përpjekje diplomatike për gjetjen e zgjidhjeve, qoftë përmes bisedimeve me shtetet e Gjirit, ose brenda grupit G7, dhe Uashingtoni po shfaq përpjekje për të gjetur qëndrime të përbshkëta, sipas kancelarit gjerman.

“Ne po mundohemi që të ndikojmë tek Izraeli – e pranoj, me sukses të kufizuar” – shtoi ai.

Merzi tha se në një telefonatë të zhvilluar rishtazi me Trumpin, ishte përpjekur që të shpjegonte se kjo nuk është luftë e NATO-s. “Mendoj se ai e kuptoi këtë” – tha kancelari, duke iu referuar presidentit amerikan.

Gjermania do të mund të ofronte ndihmë në të ardhmen për ta siguruar Ngushticën e Hormuzit, për shembull me heqjen e minave, duke marrë parasysh se Kuvendi i Gjermanisë i ka dhënë vendit mandat ndërkombëtar dhe miratim.

Sidoqoftë, kancelari theksoi se një gjë e tillë mbetet e largët dhe nuk është opsion përderisa lufta vazhdon./Nacionale

Lajme të ngjashme