Meloni thotë se ndarja e posteve të larta të BE-së i shpërfill dëshirat e votuesve
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, të mërkurën i kritikoi planet për ndarjen e posteve më të larta në institucionet e BE-së, duke thënë se aty shpërfillen dëshirat që i kishin shprehur votuesit në zgjedhjet e këtij muaji për Parlamentin Evropian.
Burimet thanë të martën se tri grupet kryesore evropiane të qendrës – ku nuk përfshihen konservatorët e Melonit – ishin pajtuar për një marrëveshje rreth pozitave më të larta të bllokut, ku do të përfshihej zgjedhja e zonjës Ursula von der Leyen për një mandat të dytë si presidente e Komisionit Evropian, raporton agjencia “Reuters”.
Marrëveshja do të dorëzohet për miratimin e udhëheqësve të Bashkimit Evropian në një samit në Bruksel që fillon të enjten. Nëse vërtetohet, ajo do të paraqiste vazhdimësi nga e kaluara, pasi grupet pro BE-së do ta mbanin pushtetin pavarësisht nga rritja e mbështetjes për të djathtën ekstreme dhe partitë euroskeptike në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
“Mua nuk më duket se një gatishmëri për ta marrë parasysh atë që qytetarët e kanë thënë në kutinë e votimit është shfaqur deri më tani” – tha Meloni para deputetëve, duke shtuar se partitë që kanë pasur rritje të përkrahjes politike në zgjedhjet e fundit duhej të merreshin parasysh në bisedime.
Partia djathtiste e Melonit, “Vëllezërit e Italisë” – forcë udhëheqëse e Partive Konservatore dhe Reformiste në Parlamentin Evropian – fitoi më së shumti vota në Itali. Rritje e së djathtës është shënuar edhe në Francë e Gjermani, ku partitë në pushtet kanë pësuar humbje të rënda.
“[Institucionet e BE-së] perceptoheshin si entitete neutrale, kështu duke qenë të afta për t’i garantuar të gjitha shtetet anëtare, pavarësisht nga ngjyra politike e qeverise të atyre vendeve anëtare” – tha Meloni në dhomën e ulët të Kuvendit.
Sipas burimeve, ish-kryeministri portugez, Antonio Costa, pritet të emërohet president i Këshillit Evropian, ndërsa kryeministrja estoneze, Kaja Kallas, shefe e politikës së jashtme të BE-së.