Meksika e feston për herë të parë përvjetorin e pavarësisë duke u drejtuar nga një grua
Presidentja Claudia Sheinbaum u bë udhëheqësja e parë grua në 215 vjet që e udhëhoqi festën për përvjetorin e pavarësisë së Meksikës me porosinë se nuk do ta pranojë ndërhyrjen e huaj, deklaratë domethënëse, kur ajo po e negocion presionin nga Shtetet e Bashkuara.
Zonja Sheinbaum udhëhoqi një ceremoni tradicionale nga ballkoni i Pallatit Kombëtar në Mexico City të hënën në mbrëmje. Kjo është një traditë e përvitshme, kur më 15 shtator, presidentja i bie kambanës që e shënon thirrjen në ushtri gjatë luftimeve të periudhës 1810 – 1821 për ta fituar pavarësinë nga Spanja, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”
.
Dita e Pavarësisë formalisht festohet më 16 shtator, por ceremonia e kambanës është mbajtur natën paraprake për më shumë se një shekull.
Një paradë ushtarake tradicionale pasoi të martën dhe presidentja tha se “asnjë fuqi e huaj nuk merr vendime për ne”.
Në fjalimin që e mbajti para kabinetit të saj dhe mijëra ushtarëve, Sheinbaum tha se “asnjë ndërhyrje nuk është e mundshme në atdheun tonë” dhe, ndonëse nuk përmendi ndonjë shtet, fjalët e saj erdhën në kohën kur Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Meksika që të bëjë më shumë për t’i luftuar kartelet e drogës dhe për ta forcuar sigurinë kufitare.
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, madje ka bërë ofertë që të dërgojë ushtarë në Meksikë për t’i luftuar kartelet e drogës, disa prej të cilave janë shpallur organizata terroriste nga ShBA-ja, por homologia meksikane disa herë e ka refuzuar ofertën.
Qeveria e re meksikane ka qenë më agresive në ndjekjen e karteleve të drogës në krahasim me paraardhësin e Sheinbaum-it, duke u dorëzuar autoriteteve amerikane dhjetëra figura të këtyre grupeve dhe duke e përmendur konfiskimin e një sasie më të vogël të fentanilit në kufirin mes dy vendeve. Sidoqoftë, presidentja meksikane këmbëngul se këto veprime janë ndërmarrë për shkak se ato janë të mira për vendin, e jo për shkak të presionit nga ShBA-ja.