Medvedevi thirrje rusëve që të mobilizohen për “dëm maksimal” ndaj Perëndimit - NACIONALE

Medvedevi thirrje rusëve që të mobilizohen për “dëm maksimal” ndaj Perëndimit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Njëri nga zyrtarët më të lartë të sigurisë në Rusi, ish-presidenti Dmitry Medvedev, të enjten u bëri thirrje rusëve që të mobilizohen për t’u shkaktuar “dëm maksimal” shoqërive dhe infrastrukturës perëndimore si hakmarrje për sanksionet gjithnjë më të ashpra që po i vendosen Moskës nga ShBA-ja dhe aleatët e saj.

Deklarata e Medvedevit, i cili tani është në detyrën e zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurisë të Rusisë, erdhi pas vendimit të Perëndimit për t’i ashpërsuar sanksionet ndaj Moskës në përpjekje për t’ia dëmtuar aftësinë për zhvillimin e luftës në Ukrainë, raporton agjencia “Reuters”.

“Duhet [të kundërpërgjigjemi]. Jo vetëm nga autoritetet, shteti, por populli ynë në përgjithësi. Pas të gjithave, ata – ShBA-ja dhe aleatët e saj të ndyrë – na kanë shpallur luftë pa rregulla” – shkroi Medvedevi në rrjetin “Telegram”, ku ka më shumë se 1,3 milion ndjekës.

“Për çdo ditë ne duhet të mundohemi që t’u bëjmë dëm maksimal atyre shteteve që i kanë vendosur këto kufizime. T’i dëmtojmë ekonomitë e tyre, institucionet e tyre dhe sundimtarët e tyre. T’ua dëmtojmë mirëqenien e qytetarëve të tyre, besimin e tyre në të ardhmen” – shtoi ai.

Diplomatët thonë se Medvedevi jep një shije të mendimeve të ashpra e të nivelit të lartë në Kremlin, edhe pse Ukraina dhe kritikët e Kremlinit e minimizojnë ndikimin e tij, duke e përshkruar si frikësues që e ka për detyrë parandalimin e veprimeve perëndimore për Ukrainën.

Në komentet e tij më të reja, Medvedevi foli për nevojën që të gjenden dobësi kritike në ekonomitë perëndimore, për t’u shënjestruar energjia, industria, transporti, bankat dhe shërbimet sociale si dhe të nxiten tensionet sociale.

Zyrtarë perëndimorë tashmë kanë folur për veprime të dyshimta sabotazhi nga Rusia në pjesë të ndryshme të Perëndimit, përfshirë zjarrvënien, dhe disa kanë bërë thirrje që të kufizohen lëvizjet e diplomatëve rusë.

Lajme të ngjashme