Medvedevi s’durohet pa e komentuar marrëveshjen ShBA – Ukrainë për mineralet e rralla - NACIONALE

Medvedevi s’durohet pa e komentuar marrëveshjen ShBA – Ukrainë për mineralet e rralla

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtari i lartë rus i sigurisë dhe ish-presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, tha të enjten se nënshkrimi i marrëveshjes për mineralet e rralla mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara nënkupton që presidenti amerikan, Donald Trump, e ka detyruar Kievin që të paguajë për ndihmat e ardhshme ushtarake nga ShBA-ja.

Marrëveshja e nënshkruar të mërkurën në Uashington do t’u japë Shteteve të Bashkuara qasje preferenciale në paktet e reja për mineralet ukrainase si dhe do të themelohet një fond investues për rindërtimin e Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Gazeta “Kyiv Post”, duke cituar burime diplomatike, tha se administrata e Trumpit ia tregoi gjithashtu Kongresit të mërkurën qëllimin e saj për t’ia dhënë dritën e gjelbër eksportimit të produkteve të lidhura me fushën e mbrojtjes në Ukrainë përmes shitjeve të drejtpërdrejta komerciale prej 50 milionë dollarësh ose më shumë, hapi i parë i këtij lloji që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte këtë gjë menjëherë.

“Trumpi e ka thyer regjimin e Kievit deri në pikën ku ata do të detyrohen të paguajnë për ndihmat amerikane me burimet minerale” – tha Medvedevi, i cili tani e mban postin e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë të Rusisë.

Marrëveshja për mineralet mes Uashingtonit e Kievit u arrit në kohën kur Shtetet e Bashkuara thonë se janë gjithnjë më të zemëruara me dështimin e Rusisë dhe Ukrainës që të ulen në tavolinën e bisedimeve të paqes.

Moska thotë se është e gatshme për bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën dhe e hapur për një zgjidhje për paqe afatgjatë, por se çështjet që janë në pyetje janë aq komplekse, saqë procesi nuk mund të bëhet me ngut.

Në anën tjetër, Kievi thotë se mbështet një armëpushim të pakushtëzuar që do të zgjaste të paktën 30 ditë. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se ai pajtohet në parim, por se ka shumë çështje që duhet të sqarohen para se një gjë e tillë të mund të ndodhë./Nacionale

Lajme të ngjashme