Mediat egjiptiane raportojnë për “progres të dukshëm” në bisedime, Hamasi në Kajro
Një delegacion i Hamasit po qëndron të shtunën në Kajro të Egjiptit, ndërsa mediat shtetërore të këtij vendi raportuan për “përparim të dukshëm” në bisedimet e vazhdueshme për armëpushim me Izraelin. Sidoqoftë, një zyrtar izraelit e minimizoi mundësinë për arritjen e një pakti.
Presioni ka qenë duke u shtuar për arritjen e një marrëveshjeje. Kriza humanitare në Gaza po eskalon, ndërsa Izraeli këmbëngul se do të nisë një ofensivë në qytetin Rafah, në skajin jugor të enklavës, raporton agjencia “Associated Press”.
Ndërmjetësuesit egjiptianë dhe amerikanë kanë raportuar për shenja kompromisi ditëve të fundit, por gjasat për marrëveshje armëpushimi mbeten të ngatërruara në çështjen kyçe – a do të pranojë Izraeli që t’i japë fund luftës pa e arritur qëllimin e shpallur për shkatërrimin e Hamasit?
Mediumi shtetëror egjiptian, “Al-Qahera”, tha të shtunën se është arritur një konsensus për shumë prej pikave të kontestuara, por nuk dha hollësi. Hamasi ka kërkuar përfundim të plotë të luftës dhe tërheqje të të gjitha forcave izraelite nga Gaza.
Një zyrtar i lartë izraelit, duke folur në kushte anonimiteti për të folur rreth bisedimeve që po vazhdojnë, e minimizoi mundësinë për përfundimin e luftës. Ai i tha agjencisë “Associated Press” se Izraeli nuk do të pajtohet në asnjë rrethanë për t’i dhënë fund luftës si pjesë e një pakti për lirimin e pengjeve.
Nga sulmet izraelite të shtunën herët në Gaza u vranë të paktën gjashtë persona. Tre trupa u nxorën nga rrënojat e një ndërtese në Rafah dhe u dërguan në spitalin “Yousef Al Najjar”. Nga një sulm në kampin e refugjatëve “Nuseirat” në pjesën qendrore të Gazës u vranë tre njerëz, sipas zyrtarëve të spitalit.
Në 24 orët e fundit, trupat e 32 njerëzve të vrarë nga sulmet izraelite janë sjellë në spitale lokale, tha të shtunën Ministria e Shëndetësisë në Gaza. Kjo ministri nuk e bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve në shifrat që i publikon, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë rreth dy të tretat e të vrarëve.
Ushtria izraelite thotë se ka vrarë 13 mijë militantë, pa paraqitur dëshmi për ta mbështetur këtë pretendim.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se qindra mijëra njerëz do të ishin “në rrezik të afërt nga vdekja”, nëse Izraeli nis sulm në qytetin Rafah, ku është strehuar një pjesë e madhe e popullsisë së Gazës dhe që shërben si pikë kritike për hyrjen e ndihmave humanitare.