Më në fund: ShBA-ja do ta mbështesë rezolutën e Këshillit të Sigurimit për Gazën
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara po i afrohet miratimit të një rezolute për shtimin e ndihmave humanitare në Gaza, pasi Shtetet e Bashkuara shprehën mbështetje për draftin e ri të rezolutës.
Votimi që u shty për të premten kishte qenë në ngërç, pasi Shtetet e Bashkuara shprehën “shqetësime të gjera” për një draft të mëparshëm, raporton televizioni BBC.
Uashingtoni kishte thënë se ishte i brengosur se rezoluta e sponsorizuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe “në të vërtetë do t’i ngadalësonte” ndihmat në Gaza.
Njoftimi i ri nga ShBA-ja vjen pas rreth dy javëve të bisedimeve diplomatike. Gjatë tërë javës, Këshilli i Sigurimit e kishte shtyrë votimin e draft-rezolutës, me të cilën synohej një lloj armëpushimi, përderisa diplomatët kishin mosmarrëveshje për gjuhën e dokumentit.
Në draftin fillestar bëhej thirrje për ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive, por në versionin përfundimtar bëhet thirrje për krijimin e kushteve për ndërprerjen e tyre.
Në draftin e ri nuk bëhet thirrje për përdorimin e të gjitha rrugëve tokësore, detare e ajrore për shpërndarjen e ndihmave, por vetëm për rrugët në dispozicion. Megjithatë, dokumenti krijon një mekanizëm për përshpejtimin e ndihmave, por bën të qartë se kjo do të bëhet në konsultime me palët përkatëse si Izraeli.
Duke dalë nga një takim me dyer të mbyllura të enjten në mbrëmje, ambasadorja e ShBA-së në OKB, Linda Thomas-Greenfield, i mohoi pretendimet se drafti i ri është zbutur, duke argumentuar se “është një rezolutë shumë e fortë”.
Ajo e quajti dokumentin “rezolutë që ne mund ta përkrahim”, por nuk tregoi nëse Shtetet e Bashkuara do të votojnë “po” apo do të abstenojnë.
Pengesa kyçe drejt marrëveshjes të enjten u duk se ishte propozimi i tekstit për të pasur një mekanizëm të OKB-së për t’i vëzhguar ndihmat në Gaza – diçka që grupi i vendeve arabe ka thënë se duhet të jetë pjesë e çfarëdo rezolute domethënëse.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara thanë se kjo do të mund ta hiqte kontrollin e Izraelit ndaj procesit të kontrollit dhe kërkuan një shtyrje tjetër për të mundësuar kohë për diskutime me Egjiptin për atë se si do të mund të funksiononte për të gjitha palët ky mekanizëm i vëzhgimit.
Tash për tash, Izraeli i vëzhgon të gjitha dërgesat e ndihmave dhe karburanteve në Gaza.