Mbi tre vjet pas nisjes së luftës, ShBA-ja e Evropa ende me tregti miliardëshe me Rusinë
Më shumë se tre vjet pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian ende importojnë mallra e energji ruse me vlerë të miliarda eurove, nga gazi natyror i lëngëzuar tek uraniumi i pasuruar.
India reagoi ashpër këtë javë ndaj atyre që i quajti standarde të dyfishta të Perëndimit, pasi u ballafaqua me kërcënime të reja nga presidenti amerikan, Donald Trump, për shkak të blerjes së naftës së papërpunuar ruse, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Importet e Evropës nga Rusia
Që nga fillimi i luftës, tregtia mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë është tkurrë në masë drastike për shkak të sanksioneve të BE-së dhe kufizimeve ndaj importit të disa produkteve. Importet nga Rusia shënuan rënie për 86 për qind nga çereku i parë i vitit 2022 deri në çerekun e parë të këtij viti, sipas të dhënave të fundit nga Eurostat-i.
Importet e mallrave nga Rusia në çerekun e parë të këtij viti e patën vlerën e përgjithshme prej 8,74 miliardë eurove, dukshëm më pak se 30,58 miliardë eurot para katër vjetëve. Nga janari i vitit 2022, BE-ja ka importuar mallra ruse me vlerë të 297 miliardë eurove.
Megjithatë, Bashkimi Evropian vazhdon që të blejë naftë, nikel, gaz natyror, pleh, hekur dhe çelik nga Rusia.
Para katër vjetëve, Rusia ishte furnizuesja më e madhe me produkte nafte e Bashkimit Evropian, por ndalimi i importeve detare nga BE-ja ndaj naftës së papërpunuar e zvogëloi përqindjen nga 28,74 për qind më 2021 në 2,01 për qind këtë vit.
Rreth 17 për qind e gazit të Evropës ende vjen nga Rusia, përmes gazsjellësit “TurkStream” dhe dërgesave të gazit natyror të lëngëzuar, dukshëm më pak se 48 për qind sa ishte në çerekun e parë të vitit 2021.
Ndryshe nga Evropa, importet e Indisë nga Rusia arritën në 65,7 miliardë dollarë vitin e kaluar, nga 8,25 miliardë dollarë në vitin 2021, sipas të dhënave në uebfaqen e Ministrisë së Tregtisë të Indisë./Nacionale